
Disa persona janë privuar nga liria në disa aksione të ndara policore në Tetovë dhe Gostivar, gjatë të cilave janë gjetur armë, municion, drogë, peshore digjitale dhe mjete monetare, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Në rastin e parë, më 21 gusht, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria S.B. (41) nga fshati Leshok i Tetovës.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe në objektet ndihmëse, të kryer me urdhër gjykate, janë gjetur dhe sekuestruar një karabinë e kalibrit 7 mm me optikë, një pistoletë “CZ” e kalibrit 9 mm me karikatorë bosh, një pushkë ajrore 5.4 mm me optikë, si dhe plumba të kalibrave të ndryshëm.
Po të njëjtën ditë, rreth orës 20:21, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria A.M. (39), D.M. (26), B.S. (37), R.R. (66), B.A. (37) dhe R.V. (72), të gjithë nga Gostivari, si dhe N.L. (65) nga Shkupi.
Policia ka vepruar pas një denoncimi të mëparshëm se në fshatin Kunovë të Gostivarit është prishur rendi dhe qetësia publike me të shtëna nga armë zjarri.


