
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet që këtë të mërkurë të mbledhë Grupin Parlamentar të partisë.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, në këtë takim pritet të diskutohen hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren para seancës së nesërme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një takim që zgjati rreth tri orë. Megjithatë, takimi nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete, pasi të dy liderët deklaruan se ende nuk ka një dakordim.
Kurti pas takimit u shpreh se diskutimi ishte i dobishëm dhe se mbetet i gatshëm për të vazhduar bisedimet me qëllim tejkalimin e ngërçit politik. Të njëjtin qëndrim e përcolli edhe LDK-ja, duke bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë./Klankosova.tv



