
VMRO‑DPMNE në pushtet drejtoi kritika ndaj LSD‑së opozitare dhe liderit të saj, Venko Filipçe, duke i akuzuar për përpjekje për të mbledhur pikë të lira politike në temën e ujit të pijshëm në Gostivar.
Zëdhënësi i partisë, Valentin Manasievski, në konferencën e sotme për media theksoi se opozita për vite të tëra ka heshtur për të njëjtat probleme ndërkohë që ka qenë në pushtet.
“LSD dhe Filipçe po përpiqen të mbledhin pikë politike në temën e ujit në Gostivar, ndërsa për vite me radhë nuk thanë asnjë fjalë për rastet e ujit të pasigurt që ishin evidentuar pikërisht kur ata e drejtonin shtetin. Ditëve të fundit kemi publikuar dokumente që tregojnë qartë se institucionet kompetente në kohën e tyre kanë pasur informacione për ujë të pasigurt në disa vendbanime. Por, në vend të zgjidhjeve dhe transparencës, qytetarët morën heshtje”, deklaroi Manasievski.
Ai publikisht kërkoi përgjigje nga lideri i opozitës për tre pyetje kyçe të lidhura me menaxhimin e kaluar të institucioneve.
“LSD dhe Venko Filipçe u detyrohen qytetarëve përgjigje për tre pyetje të thjeshta: Pse nuk i kanë informuar qytetarët për gjetjet? Sa prej atyre rasteve janë zgjidhur plotësisht? Dhe e treta, më e rëndësishmja — me çfarë fytyre kërkojnë përgjegjësi për diçka që vetë nuk e kanë zgjidhur për vite të tëra?”, shtoi zëdhënësi i VMRO‑DPMNE.
Nga partia theksojnë se ish‑funksionarët nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia për gjendjen e trashëguar në furnizimin me ujë.
“Nuk mund të jenë të njëjtët njerëz që për vite ishin në pushtet, e sot të paraqiten sikur nuk kanë asnjë përgjegjësi për gjendjen që kanë lënë pas. Në vend të teatrit politik, LSD dhe Filipçe duhet t’u shpjegojnë qytetarëve pse nuk kanë bërë asgjë ndërkohë që e kishin të gjithë pushtetin institucional në duart e tyre”, përfundoi Manasievski.



