
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta shqyrtojë në strukturat e larta deklaratën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për rikonfigurime dhe ndryshime në Qeveri.
Kështu për Insajderi.com, ka thënë deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.
Kryetari i LDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se rikonfirugime dhe ndryshime mund të ndodhin në Qeveri, “për shkak të atyre që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe ndjekin agjenda personale a partiake”.
Këtë deklaratë të Mustafës, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj e sheh ‘zhvillim të ri’.
“Është një zhvillim i ri, do të shyrtohet në strukturat e larta të AAK-së”, tha Selmanaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është partneri i vetëm i LDK-së që ka mospajtime me Qeverinë Hoti.
Nga deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, kuptohet se shkak i divergjencave është bërë dialogu me Serbinë dhe emërtimi i Skenderit Hysenit si Koordinator Shtetëror për Dialogun pa dakordim me partnerët e tjerë të koalicionit.
Ditë më parë, deputetja e NISMA Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë për Insajderi se NISMA nuk ka asnjë mospajtim me LDK-së në qeverisje, që nënkuptohet se dallimet e brendshme të Qeverisë janë në mes LDK-së dhe AAK-së, pasi as Lista Serbe nuk ka shfaqur ndonjë sinjal mospajtimi.
Ramush Haradinaj, ka shpallur kandidaturën për president të Kosovës, një kandidim të tillë shefi parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, e kishte cilësuar vetëm “ngjarje partiake”.
Mospajtimet në mes partnerëve të koalicionit kanë filluar pas deklaratave të Haradinajt ndaj Hotit të cilin e kritikon për dialogun, pasi Haradinaj beson se ka rrezik që dialogu të ulet në çështje teknike. /Insajderi.com