
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i është përgjigjur akuzave të opozitës se Qeveria nuk ka ndërmarrë masa lidhur me situatën në Gostivar, duke bërë thirrje publike që Prokuroria të nisë hetime për mbi 400 denoncime për ujë të pakualitetshëm të regjistruara në vitin 2021.
Sipas Mickoskit, në periudhën kur kryetari aktual i LSDM-së ishte ministër i Shëndetësisë dhe një nga drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik mbante funksion drejtues, janë evidentuar më shumë se 400 denoncime për ujë të pasigurt në Gostivar, por, sipas tij, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
“E ftoj Prokurorinë të verifikojë këto pretendime dhe të nisë procedurë për të përcaktuar pse, kur kanë pasur mundësi, nuk kanë bërë asgjë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Gostivarit, por edhe të komunave të tjera”, deklaroi Mickoski.
Ai kërkoi që Prokuroria të hyjë menjëherë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të kontrolluar dokumentacionin dhe pretendimet e paraqitura.
Në të njëjtën deklaratë, Mickoski kritikoi ashpër ish-qeverinë për mënyrën e menaxhimit të krizës me COVID-19, zjarrin në spitalin modular të Tetovës dhe skandalin në Klinikën e Onkologjisë, duke i përdorur këto raste si argument në kundërpërgjigje ndaj kritikave të opozitës.



