
Me propozim të ministrit të Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, Qeveria miratoi vendimin me të cilin hapet mundësia për punësimin e 300 specializantëve të tjerë privatë në institucionet shëndetësore publike deri në fund të vitit 2026.
Ky vendim paraqet një investim të fuqishëm te mjekët e rinj dhe një hap konkret drejt forcimit të shëndetësisë publike të Maqedonisë. Në këtë mënyrë krijohen kushte që specializantët e rinj t’i ndërtojnë dijen, profesionalizmin dhe të ardhmen e tyre brenda sistemit shëndetësor të vendit.
Punësimi i 300 specializantëve privatë do të mundësojë:
- mbajtjen e mjekëve të rinj në vend;
- plotësimin e mungesës së kuadrit specialistik;
- fuqizimin e klinikave, spitaleve, shtëpive të shëndetit dhe qendrave të shëndetit publik;
- shpërndarjen më të barabartë të kuadrit mjekësor në të gjithë vendin;
- kohë më të shkurtër pritjeje dhe kujdes më cilësor shëndetësor për pacientët.
“Ky nuk është vetëm një vendim për 300 punësime të reja. Ky është investim në 300 të ardhme profesionale, në institucione shëndetësore më të fuqishme dhe në kujdes më të mirë për pacientët. Nuk i shkollojmë mjekët tanë që t’i humbasim – investojmë në dijen e tyre për ta ndërtuar sistemin shëndetësor që qytetarët e meritojnë”, theksoi ministri Klekovski.
Punësimet do të realizohen në përputhje me nevojat e institucioneve shëndetësore publike dhe mungesën e kuadrit specialistik, me qëllim që mjekët e rinj të angazhohen aty ku nevojiten më së shumti.
Me këtë vendim, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dërgojnë një mesazh të qartë: mjekët e rinj janë themeli i së ardhmes së shëndetësisë publike, ndërsa dija, puna dhe zhvillimi i tyre profesional duhet të njihen dhe të mbështeten.
Po krijojmë vlerë afatgjatë – mjekë që qëndrojnë, institucione që fuqizohen dhe pacientë që marrin kujdes shëndetësor cilësor dhe në kohë.
300 specializantë. 300 mundësi të reja. Një sistem shëndetësor më i fuqishëm.




