
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe deputetët nga Vetëvendosja për pjesëmarrjen në fushatën për zgjedhjet në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku thotë se qeveria i ka braktisur njerëzit e vet, duke theksuar se po tregohet papjekuri në kohën kur pandemia po shkakton dhjetëra viktima, ekonomia është në krizë dhe qytetarët janë akoma në pritje të vaksinimit.
“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet.
Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.



