
Shkaku kryesor i vizitës në Turqi është shkëmbimi i përvojave në pjesën e edukimit të kuadrove në gjyqësor dhe digjitalizimin e sistemit gjyqësor, tha ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në paraqitjen telefonike nga Ankaraja në emisionin “Utrinski brifing”, ku foli për vizitën në Bruksel dhe Ankara dhe digjitalizimin e gjyqësorit.
“Sot do ta vizitoj Drejtorinë e Përgjithshme për Teknologji Informatike ku do të kemi mundësi që të shohim se çfarë sistemi për digjitalizim të gjyqësorit kanë këtu. Digjitalizimi te ne do të mbështetet nga partnerët tanë ndërkombëtarë si ambasada e SHBA-së, Misioni i OSBE-së në Shkup, qeveria e Norvegjisë, etj”, informoi Mariçiqi.
Homologut turk, ministrit të Drejtësisë, Gjul, Mariçiqi ia ka prezantuar planin e digjitalizimit të mbi 120 gjykatave në vend dhe ka theksuar se përvojën të cilën e ka Turqia në procesin e vendosjes së teknologjisë informatike në gjyqësor është me rëndësi të madhe për ne.
Ministri, gjithashtu, informoi se në Bruksel ai ka porositur se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë intensivisht t’i zbatojë reformat në vend, por se nevojitet që BE-ja të mos e humb fokusin dhe sa më shpejtë të krijojë kushte për fillimin e bisedimeve.



