I nderuar Apasiev, me të vërtetë nuk jeni për biznes. Tani e kuptova pse keni kaq shumë frustrim nga ky eshaloni i tretë, ku në atë parti politike nuk arritët të ngjiteni as deri në eshalonin e dhjetë, ndaj u detyruat të ndërroni disa parti ndërkohë. Është çëshjte kohe se kur do t’ju përzënë edhe prej andej. Por kjo është temë tjetër, për të cilën mund të flasim më gjerësisht në një rast tjetër“, i tha kryeministri Hristijan Mickoski deputetit Dimitar Apasiev në seancën e sotme parlamentare.
Mickoski drejtoi kritika të ashpra ndaj Apasievit, duke e akuzuar se nga foltorja parlamentare përhap gënjeshtra dhe shpifje, pa mbajtur përgjegjësi për ato që thotë. Ai e ftoi që pretendimet e paraqitura në Kuvend t’i përsërisë publikisht, para mediave, duke theksuar se është i gatshëm që për to të kërkohet drejtësi në gjykatë.
„Këtu unë jam në pozitë inferiore, sepse pasi të flas unë, ju do të dilni dhe do të hidhni edhe një grusht të ri gënjeshtrash dhe shpifjesh. Dhe, natyrisht, si çdo frikacak, do ta shfrytëzoni ose keqpërdorni foltoren parlamentare, pa mbajtur asnjë përgjegjësi penale, as për shpifje dhe as për diçka tjetër.
Ju ftoj, si burrë i madh dhe trim, gjë që nuk jeni, e jo si një frikacak i thjeshtë, që ato që i thatë sot t’i thoni edhe jashtë, para mediave, në një konferencë për shtyp. Atëherë do të takohemi në arenën ku ju jeni më i fortë, e ajo është gjykata. Atje do të duhet t’i dëshmoni ato që i thatë sot.”
Sa i përket Jordanço Janevit, Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për kunatin e tij, përkatësisht se bashkëshortja e Janevit është motra e bashkëshortes së tij. Ai theksoi se informacionet për shtetësinë bullgare të Janevit nuk janë të sakta, duke pohuar se ai posedon pasaportë bullgare që nga viti 2003 dhe jo nga viti 2017.
„Jordanço Janevi është kunati im, përkatësisht bashkëshortja e tij është motra e bashkëshortes sime. Gjithashtu, nuk është i saktë informacioni juaj se ai ka pasaportë bullgare që nga viti 2017, pasi ai e ka që nga viti 2003.
Ai është djali i dy prindërve që kanë mbetur pa punë. Kur babai i tij mbeti pa punë në ndërmarrjen e atëhershme ‘Treska’, i dha një kamion, të cilin ai e drejtonte për të fituar para dhe për të mbajtur familjen, e cila kishte mbetur pa punë në kohën e tranzicionit.
Më pas, ai zhvilloi biznesin e tij, i cili vazhdon prej më shumë se 25 vjetësh.
Vërtet nuk mund ta kuptoj se ku qëndron e keqja, edhe sikur të ishte shtetas bullgar, edhe sikur të zhvillonte biznes në Bullgari dhe të fitonte miliona leva, siç thoni ju, e pastaj t’i sillte ato para në Maqedoni dhe t’i shpenzonte këtu.
Vërtet nuk e kuptoj se ku qëndron e keqja që njerëzit t’i sjellin në vend paratë që i fitojnë jashtë, në vend që t’i nxjerrin ato nga vendi ose, për shembull, të kalojnë pushimet në hotele të shtrenjta në bregdetin e Egjeut apo të bëjnë shopping në Selanik, siç ju pëlqen juve të thoni, duke blerë veshje të shtrenjta që i mbani ju dhe familja juaj. Në këtë mënyrë, ju i manipuloni ata që ju japin njëfarë mbështetjeje.
Vërtet nuk e kuptoj. Ju me të vërtetë nuk merrni vesh nga biznesi“, tha Mickoski dhe shtoi:
“Por jo vetëm që nuk merrni vesh nga biznesi, por vini këtu dhe, si çdo frikacak i zakonshëm, dilni në foltore dhe vërshoni me shpifje që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Madje, arrini të përdhosni edhe festën e Dëshmorëve të Shenjtë të Tiveriopolit, e cila është festa e qytetit të Strumicës dhe kremtohet prej dekadash. Epo, ju jeni heretik, nuk i kuptoni këto gjëra, ndërsa heretikët nuk mund t’i kuptojnë këto zakone fetare.”
Mickoski e ftoi sërish Apasievin që pretendimet e tij t’i paraqesë publikisht, para mediave, në vend që të shfrytëzojë foltoren parlamentare, duke theksuar se është i gatshëm që mosmarrëveshja të marrë epilog ligjor.
„Prandaj, zoti Apasiev, ju lutem sinqerisht, në mënyrën më miqësore dhe më shoqërore, që ta largojmë këtë perceptim se jeni frikacak dhe se nuk keni guxim. Dilni pas kësaj fjale që do ta mbani tani, pasi të flas unë, në një konferencë për shtyp dhe thoni të njëjtat gjëra. Mos dilni këtu për të gënjyer, për të shpikur e të ngjashme“, tha Mickoski.
Mickoski theksoi se VMRO-DPMNE-ja ka mijëra donatorë, anëtarë dhe simpatizantë që e mbështesin financiarisht partinë. Njëkohësisht, ai kritikoi kundërshtarët politikë, duke i akuzuar se marrin honorare dhe mëditje nga partia, e më pas investojnë paratë në objekte hotelierike, si bare kafeje dhe klube nate, nga të cilat realizojnë fitime.
„Sa i përket donacioneve, po, në VMRO-DPMNE ka shumë donatorë, mijëra donatorë, anëtarë dhe simpatizantë të partisë.
Ndryshe nga ju, që merrni honorare dhe mëditje nga partia, e më pas me ato para blini objekte, të cilat i shndërroni në bare kafeje, klube nate dhe kafene, i regjistroni dhe nxirrni fitime prej tyre, në mënyrë që ju dhe familja juaj t’i shfaqni publikisht prirjet tuaja hedoniste“, deklaroi Mickoski.


