Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur arsyet pse ia ka caktuar një muaj paraburgim Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit dhe drejtuesit të “Vox Kosova”, Lirim Mehmetaj.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut që Geci mund ta përsërisë veprën penale ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar.
Gjykata ka vlerësuar se ky rrezik është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të rastit.
“Gjykata ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtjen dhe intensitetin e kërcënimeve, si dhe sjelljen e të pandehurit pas ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata ka vlerësuar se, nëse Geci lihet i lirë pa masa të përshtatshme parandaluese, ai mund të tentojë ta kontaktojë sërish të dëmtuarin Lirim Mehmetaj, të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kërcënimit të pretenduar.
Gjykata: Masat alternative nuk janë të mjaftueshme
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vlerësuar se masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të mjaftonin për ta parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale ose të kryerjes së veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari.
“Prandaj, në këtë fazë të procedurës, masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe asnjëra nga masat e tjera të parapara me nenin 171 të KPPRK-së nuk do të ishte e mjaftueshme për të evituar rrezikun konkret të identifikuar në këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me ç’rast është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.
Gani Geci dyshohet për veprën penale të kanosjes, nga neni 181, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


