Snopçe kërkon çerdhe për Studeniçanin, ministri premton se do ta bëjë

Studeniçani, komunë prej rreth 22 000 banorësh dhe me rreth 2577 fëmijë të grupmoshës parashkollore nuk e kanë asnjë çerdhe. Këtë çështje e ngriti deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në seancën për pyetje deputetësh. Ndërsa, sipas tij, problemi bëhet edhe më i madh kur gjatë rebalansit të buxhetit nuk u pranua amendamenti i deputetëve të opozitës për miratimin e projektit për çerdhe për 55 fëmijë.

“Si është e mundur që komuna e Studeniçanit, një komunë në periferi të kryeqytetit me rreth 22 000 banorë dhe të mos ketë asnjë çerdhe publike funksionale. Sipas profilit të popullsisë së fëmijëve të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, për Studeniçanin janë evidentuar 2577 fëmijë në grupmoshat e analizuara, ndërsa numri i fëmijëve të regjistruar në institucionet parashkollore në Studeniçan është zero”, tha Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Ministri i Politikës, Sociale Gjoko Vellkovski premtoi se deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie, në Studeniçan do të ndërtohen dy çerdhe.

“Në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Studeniçanit, tashmë dy objekte po përgatiten sepse duhet të përgatitet dokumentacioni i plotë teknik për dy vendbanime ku do të ndërtohen këto dy kopshte. Unë si ministër drejtëpërdrejtë marrë pjesë në zgjidhjen e problemit me pronën që ta rrumbullaksojmë këtë proces. Njëra parcel veçmë është zgjidhur. Për tjetrën duhet të përfundojnë procedurat administrative. Dy çerdhe në komunën e Studeniçanit deri në fund të mandatit do të jenë realitet”, tha Gjoko Vellkovski, zv/ministër i Punës dhe Politikës Sociale

Ndërsa, shtoi se amendamenti për çerdhe është refuzuar për shkak se tani janë duke u zgjidhur procedurat pronësore dhe çerdhet nuk mund të nisin të ndërtohen menjëherë.