Eksperti juridik dhe ish-Avokati i Popullit, Naser Zyberi, në emisionin “IMPAKT” në TV Shenja, ka kritikuar heshtjen e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut lidhur me rastin e dhunës së dyshuar policore ndaj qytetarëve.
Zyberi theksoi se Komiteti i Helsinkit dhe institucioni i Avokatit të Popullit janë ndër adresat që duhet të trajtojnë raste të tilla, duke nënvizuar se Avokati i Popullit mund të hapë lëndë edhe me iniciativë zyrtare, pa pasur nevojë për një ankesë nga qytetarët.
“Për mua është pak e pakuptimtë heshtja e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nuk e kam të qartë pse Komiteti i Helsinkit nuk ka hap lëndë ose nëse ka hap pse nuk e ka bërë publike. Sepse, një ndër adresat në të cilat duhet të adresohet kjo mënyrë e ushtrimit të dhunës nga Ministria e Punëve të Brendshme është pikërisht Komiteti i Helsinkit dhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Unë nuk kam informacion se institucioni i Avokatit të Popullit a ka ngritur procedurë, respektivisht a ka hap lëndë sepse në bazë të ligjit të Avokatit të Popullit lëndët hapen edhe zyrtarisht. Nuk është patjetër që të denoncohet, respektivisht nuk është patjetër që qytetari t’i drejtohet institucionit me parashtresë për të formuar lëndë.
Pra, institucioni i Avokatit të Popullit edhe nga vet informacionet që merr në media mundet dhe në këtë rast duhet që të hap lëndë sepse, një nga sferat e observimit të këtij institucioni është pikërisht mbrojtja nga dhuna e institucioneve që në këtë rast është MPB respektivisht pjesëtarë të uniformuar të MPB-së”, deklaroi Zyberi.


