Ademi: Nesër, sytë te Gjykata Kushtetuese – vendim i rëndësishëm për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me seancën e nesërme të Gjykatës Kushtetuese, ku pritet të shqyrtohet çështja e një rregulloreje të publikuar në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase.

Ademi thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe Ligji për Publikimin e Ligjeve dhe Akteve të Tjera në Gazetën Zyrtare, përcaktojnë qartë detyrimin që aktet të publikohen në dy gjuhë. Ai i referohet gjithashtu Amendamentit V të Kushtetutës dhe praktikës së mëparshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë formale.

Sipas Ademit, vendimi i Gjykatës do të ketë rëndësi të veçantë për statusin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

“Nëse Gjykata vendos të mos iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së këtij akti, atëherë goditja ndaj gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare do të jetë e madhe”, shprehet Ademi.

Ai paralajmëron se një vendim i tillë, sipas tij, mund të krijojë precedent që aktet e publikuara vetëm në maqedonisht në Gazetën Zyrtare të mbeten në fuqi, pavarësisht detyrimit ligjor për publikimin e tyre në dy gjuhë.

“Nesër, sytë të gjithë te Gjykata Kushtetuese”, përfundon Ademi, duke bërë thirrje për vëmendje të veçantë ndaj vendimit që pritet të merret.

https://www.facebook.com/share/p/1CVkKX8vkf/?mibextid=wwXIfr