As punëdhënësit dhe as Oda Ekonomike nuk duhet të vendosin se kush dhe në çfarë kushtesh mund ta shfrytëzojë një festë si ditë jopune. Kështu kanë reaguar nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke kundërshtuar propozimin e Odës Ekonomike për uljen e numrit të ditëve jopune dhe përcaktimin e tyre përmes marrëveshjeve individuale mes punëtorëve dhe punëdhënësve.
“Shfrytëzimi i të drejtave të punëtorëve nuk duhet të varet nga vullneti i punëdhënësit apo nga pozita negociuese e punëtorit, veçanërisht duke pasur parasysh se punëtorët me të ardhura më të ulëta dhe ata me forma të pasigurta të punësimit janë më të ekspozuar ndaj presioneve. Të drejtat e punëtorëve duhet të mbrohen me ligj dhe marrëveshje kolektive. Marrëveshjet individuale për shfrytëzimin e ditëve jopune mund të çojnë në situata në të cilat punëtorët, nga frika për vendin e punës, do të heqin dorë nga të drejtat që u takojnë. Të drejtat e punëtorëve duhet të mbeten të garantuara dhe të mos varen nga marrëveshjet individuale“, thonë nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Për këtë çështje sot ka reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, ai tha se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë.
“Në parim mendoj se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Përgjigjja e Mickoskit vjen pasi dje Oda Ekonomike e Maqedonisë në një konferencë për media njoftoi se së shpejti do t’i dorëzojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës propozim-ndryshime në Ligjin për Festat, me të cilat numri i ditëve jopune, në mënyrë indirekte, do të reduktohej në 13, ndërsa festat që bien të dielën nuk do të zhvendoseshin më si ditë jopune të hënën.
Sipas menaxheres së projektit në Odën Ekonomike, Aneta Dimovska, propozimi nuk parashikon anulimin e festave ekzistuese, por rishikimin e së drejtës për shfrytëzimin e ditëve jopune.
Ndaj këtij propozimi reaguan menjëherë edhe përfaqësuesit e sindikatave, të cilët u shprehën kundër tij, pasi me të do të reduktohej numri i festave për punëtorët.


