Durimishi nga Baku: Maqedonia e Veriut ka potencial të fuqishëm për investime të reja

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durimishi, ka prezantuar potencialin ekonomik dhe investues të Maqedonisë së Veriut në Baku, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dytë Ndërkombëtar të Investimeve të Azerbajxhanit.

Durimishi tha se vendi synon të ndërtojë një ekonomi më konkurruese, të qëndrueshme dhe më të integruar në tregjet evropiane dhe globale.

“Maqedonia e Veriut ka potencial të fuqishëm për investime të reja dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Durimishi, duke theksuar se në një periudhë të sfidave dhe pasigurive në ekonominë globale, fokusi i qeverisë është te investimet, infrastruktura, energjia, digjitalizimi dhe përmirësimi i kushteve për bizneset.

Sipas ministrit, ekonomia e vendit ka shënuar rritje prej 3.7 për qind në gjysmën e parë të vitit, ndërsa investimet bruto janë rritur me 9.3 për qind.

“Këto rezultate janë një sinjal se duhet të vazhdojmë edhe më fuqishëm me ciklin investues dhe me reformat që krijojnë zhvillim afatgjatë”, tha Durimishi.

Ai veçoi edhe pozitën gjeografike të Maqedonisë së Veriut, duke përmendur Korridoret 8 dhe 10, infrastrukturën industriale dhe qasjen në një treg prej më shumë se 650 milionë konsumatorësh si avantazhe për investitorët ndërkombëtarë.

Durimishi theksoi se përmes zonave teknologjike-industriale dhe mbështetjes institucionale, synimi është që investitorët jo vetëm të vendosen në vend, por edhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe të riinvestojnë.

“Vazhdojmë të punojmë që potencialin e Maqedonisë së Veriut ta shndërrojmë në investime konkrete, zhvillim të qëndrueshëm dhe më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset tona”, përfundoi ministri.