Toshkovski: “Qyteti i Sigurt” nis më 12 tetor në rajonin e Ohrit, FRONTEX do të zgjerojë aktivitetet edhe në kufirin perëndimor

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, zhvilloi një vizitë pune në SPB Ohër dhe në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim, ku u njoh me gjendjen e sigurisë, aktivitetet aktuale dhe prioritetet e policisë.

Gjatë vizitës në SPB Ohër, vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjeve për funksionalizimin e sistemit inteligjent “Qyteti i Sigurt”, i cili pritet të nisë zyrtarisht më 12 tetor.

Sipas ministrit Toshkovski, qendra komanduese është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe sistemi do të shtrihet në të gjithë territorin e SPB Ohër, duke përfshirë Ohërin, Strugën, Kërçovën dhe Dibrën.

“Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve dhe presim që më 12 tetor sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ të fillojë zbatimin praktik në të gjithë rajonin e SPB Ohër. Gjatë dy javëve të ardhshme do të përfundojnë edhe aktivitetet e mbetura për ta vënë plotësisht në funksion këtë sistem modern”, deklaroi Toshkovski.

Në takim u diskutua edhe për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe shpërndarjes së drogës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe masat për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Gjatë vizitës në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim, ministri bëri të ditur se është arritur një marrëveshje që FRONTEX, për herë të parë, të zgjerojë aktivitetet e tij edhe në kufirin perëndimor të Maqedonisë së Veriut, dhe jo vetëm në kufirin jugor.

Sipas Toshkovskit, aktivitetet e përbashkëta me FRONTEX-in pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm, duke forcuar kontrollin kufitar, veçanërisht në vijën kufitare me Republikën e Shqipërisë.

Ministri theksoi se MPB-ja do të vazhdojë modernizimin e shërbimeve policore, forcimin e sigurisë kufitare dhe ngritjen e kapaciteteve të policisë për t’u përballur më me efikasitet me sfidat e sigurisë dhe për të garantuar më shumë siguri për qytetarët, raporton Tetovasot.