Mexhiti: Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia…

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se në Nju Jork ka marrë pjesë në një mbrëmje të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ku është takuar me gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Mexhiti ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara, duke e lidhur figurën e gjeneralit Clark me periudhën e luftës në Kosovë.

“Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia. E miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara i ka të dyja”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka shprehur mirënjohje për Clark dhe për kontributin e SHBA-së gjatë periudhës që, sipas tij, ishte vendimtare për shqiptarët.

“Prandaj, edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, mirënjohja ndaj tij mbetet po aq e fuqishme”, ka shkruar Mexhiti.

Postimi i plotë:

“Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia. E miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara i ka të dyja.

Në Nju Jork, mbrëmë ishim bashkë me gjeneralin Wesley Clark dhe Glauk Konjufcën, në mbrëmjen e organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.

Për ne shqiptarët, emri i gjeneralit Clark lidhet me një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë të re, kur miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara morën një kuptim historik.

Prandaj, edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, mirënjohja ndaj tij mbetet po aq e fuqishme.

Ishte kënaqësi ta takonim dhe t’i shprehnim nga afër respektin për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur shqiptarët kishin më së shumti nevojë për miq dhe aleatë të fuqishëm.”