Investimet në industrinë e TIK-ut dhe në teknologji e nxisin rritjen ekonomike, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në Forumin Ekonomik BELTALKS 2026.
Në kuadër të forumit që po mbahet në Beograd, Republika e Serbisë, Andonovski mbajti fjalim në panel-diskutimin “Ndërtimi i një ekonomie të bazuar në inteligjencën artificiale: të dhënat, infrastruktura dhe konkurrueshmëria”.
“Po flasim për të ardhmen e rajonit nga aspekti ekonomik, ndërsa unë i prezantoj mundësitë për investime në Maqedoninë e Veriut në fushën e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale. Kemi një fillim të mirë, sepse Maqedonia shënoi rritje të PBB-së prej 3,7 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026 dhe rritje prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë, në kushtet e inflacionit të ulët. Kjo rritje është nxitur edhe nga investimet në industrinë e TIK-ut dhe në teknologji”, theksoi Andonovski.
Siç theksoi, pjesëmarrja në forum është një mundësi për të tërhequr sa më shumë kompani dhe njohuri të reja në Maqedoni.
Në panel morën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq, kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, dhe kryetari i Bordit Ekzekutiv të Yettel Bank, Aleksandar Bogdanoviq.
Diskutimi u përqendrua në mundësitë që Ballkani Perëndimor të pozicionohet si qendër për inovacione, qendra të të dhënave dhe teknologji të reja, si dhe në rëndësinë e infrastrukturës digjitale, kapaciteteve energjetike, kapitalit njerëzor dhe mjedisit të favorshëm të biznesit për tërheqjen e investimeve në teknologji të lartë.
Ministri Andonovski do të marrë pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët të mbyllur “Një rajon, një treg? Tregtia, fuqia punëtore, investimet dhe e ardhmja e integrimit rajonal”.
BELTALKS 2026 organizohet nga GLOBSEC, ndërsa e hapi kryeministri i Republikës së Serbisë, Gjuro Macut. Fjalimi përmbyllës është paraparë të mbahet nga presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Forumi bashkoi përfaqësues të lartë politikë, vendimmarrës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit nga rajoni dhe Evropa.


