Gjykata Supreme rrëzon dënimin ndaj Stevço Jakimovskit, rasti kthehet në rigjykim

Gjykata Supreme i ka anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore Penale në Shkup dhe të Gjykatës së Apelit në Shkup në rastin kundër Stevço Jakimovskit dhe e ka kthyer lëndën për procedurë dhe vendimmarrje të përsëritur në gjykatën e shkallës së parë.

Këshilli për Çështje Penale, në seancën e mbajtur më 9 shtator, e ka pranuar kërkesën e Jakimovskit për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitur përmes mbrojtësit të tij, avokatit Viktor Cvetkovski nga Kumanova.

Me aktgjykimin KVP KOK2-18/26, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup KOK-157/21 të datës 23 prill 2025, si dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Shkup KOKZH-110/25 të datës 15 maj 2026.
Lënda tani kthehet sërish në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, e cila duhet të zhvillojë procedurën nga fillimi dhe të marrë vendim të ri.
Jakimovski në prill të vitit 2025 ishte dënuar në shkallë të parë me dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim për dy vepra penale – ndërtim pa leje dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, në një rast që lidhet me ndërtimin e objektit administrativ të Komunës së Karposhit.
Për ndërtimin pa leje ishte dënuar me një vit burgim, ndërsa për keqpërdorimin e pozitës zyrtare me tre vjet burgim.
Gjykata e shkallës së parë kishte vendosur gjithashtu që objekti administrativ i pushtetit lokal në rrugën “Radika” nr. 9 të konfiskohej në favor të shtetit. Në dënimin unik me burgim të Jakimovskit duhej të llogaritej edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Gjykata e Apelit në maj të këtij viti kishte ndërhyrë pjesërisht në vendimin e shkallës së parë. Ishte konfirmuar dënimi prej një viti burgim për ndërtim pa leje, ndërsa për pjesën që lidhej me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, lënda ishte kthyer për rigjykim.
Pas plotfuqishmërisë së pjesës për ndërtimin pa leje, Jakimovski kishte marrë urdhër që të paraqitej për vuajtjen e dënimit në burgun “Shkup”.

Tani, me vendimin më të ri, Gjykata Supreme i ka anuluar si aktgjykimin e shkallës së parë të vitit 2025, ashtu edhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2026, ndërsa lëndën e ka kthyer për procedurë të përsëritur në gjykatën e shkallës së parë.