LajmeMaqedoni

„Ku-Fest“ nisi mbrëmë me „Rinoqerontët“ – 5 ditë teatër, art dhe kulturë në Kumanovë

Me një mbrëmje të mbushur me art, teatër dhe muzikë, mbrëmë në Kumanovë nisi edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Teatrit „Ku-Fest“.
Pas ceremonisë së hapjes publiku pati mundësinë të ndiqte shfaqjen „Rinoqerontët“ të Eugène Ionesco-s, me regji të Vasil Vasilev, në interpretim të Teatrit Shqiptar – Shkup. Shfaqja nisi në orën 20:00 dhe shënoi nisjen zyrtare të programit teatror.
Por mbrëmja nuk përfundoi me teatrin. Pas shfaqjes, atmosfera vazhdoi me muzikë live, ku të pranishmit shijuan performancën e „Nezafete Shala dhe Melodia e Vjetër“. Kështu, nata e parë e „Ku-Fest“ bashkoi skenën teatrore me muzikën, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore në qytet.
Por nata e parë ishte vetëm fillimi.
Sipas programit, sonte, më 1 shtator, festivali vazhdon me shfaqjen „Vetmi në perëndim“ të Martin McDonagh, në produksion të S.H.E. Kulturës – Abdulla Krashnica dhe Teatrit të Qytetit – Preshevë, me regji të Afeida Boriqit.
Programi vijon më 2 shtator me Teatrin e Kumanovës – Drama Maqedone, më 3 shtator me Teatrin e Qytetit – Kyustendil, Bullgari, ndërsa më 4 shtator në skenë ngjitet Teatri i Qytetit – Gjilan, me shfaqjen „Nëna“ të Florian Zellerit, në regji të Erson Zymberit.
Finalja e festivalit është rezervuar për 5 shtatorin, kur Teatri i Kumanovës – Drama Shqipe do të prezantojë shfaqjen „Njeriu jashtë“ të Martin McDonagh, me regji të Andrej Cvetanovskit dhe asistencë në regji nga Qazmedin Nuredini. Në të njëjtën mbrëmje është paralajmëruar edhe ndarja e çmimeve të festivalit.
Përgjatë këtyre ditëve, „Ku-Fest“ sjell në Kumanovë jo vetëm shfaqje, por edhe takime mes artistëve, kultura të ndryshme, emocione dhe histori nga rajoni, duke e kthyer skenën e qytetit në një hapësirë të gjallë të bashkëpunimit ballkanik.
Një ftesë e veçantë për të rinjtë dhe studentët: mos e lini teatrin vetëm si një aktivitet që shihet nga larg. Shfrytëzojeni „Ku-Fest“ si mundësi për të përjetuar nga afër skenën, për të njohur artistë nga rajoni dhe për të zbuluar histori që ndoshta nuk i keni dëgjuar më parë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close