LajmeMaqedoniTopLajm

Fluks pacientësh në Spitalin e Tetovës nga temperaturat e larta

Rreth 750 pacientë janë paraqitur me simptoma të diarresë dhe të vjellave, ndërsa rreth 630 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për probleme kardiake dhe çrregullime të tensionit të gjakut gjatë muajit korrik, bëjnë të ditur nga Spitali Klinik i Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 18 gusht – Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin gjatë muajit korrik dhe gusht kanë rritur ndjeshëm numrin e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë urgjente mjekësore. Spitali Klinik i Tetovës raporton për një mbingarkesë të kapaciteteve për shkak të pasojave të drejtpërdrejta nga i nxehti afrikan. Sipas të dhënave zyrtare nga Spitali Klinik i Tetovës, qytetarët kanë patur probleme që kanë të bëjnë me shqetësime gastrointestinale dhe komplikime kardiovaskulare. Autoritetet spitalore konfirmojnë se numri i rasteve ka arritur në shifra shumë të larta brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke specifikuar bilancin e krizës shëndetësore. “Sipas të dhënave të grumbulluara, rreth 750 pacientë janë paraqitur me simptoma të diarresë dhe të vjellave, ndërsa rreth 630 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për probleme kardiake dhe çrregullime të tensionit të gjakut gjatë muajit korrik”, bëjnë të ditur nga Spitali Klinik i Tetovës për Gazetën KOHA.

Në rritjen e numrit të pacientëve ka ndikuar edhe ardhja e pacientëve nga Gostivari për shkak të problemeve me ujin. Mbyllja e sallave të operacionit dhe të lindjes në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, si pasojë e ndotjes së ujit, kishte mbingarkuar Spitalin Klinik të Tetovës. Që nga mesi i muajit korrik, mbi 200 pacientë nga Gostivari kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Klinik të Tetovës, ku fluksi më i madh fillimisht u regjistrua në repartin e akusherisë. Fluksi i parë i pacientëve nisi më 19 korrik, ku kërkesat më të mëdha u shënuan në repartin e gjinekologjisë. Përveç gjinekologjisë, ngarkesë e lartë po përballet edhe në repartet e tjera kirurgjikale. Në Urologji janë realizuar 10 ndërhyrje operative dhe mbi 50 kontrolle. Fluks i lartë është shënuar edhe në Ortopedi.

Nga ana tjetër, mjekët sqarojnë se temperaturat e larta prekin më shumë grupet më rrezikuar të popullatës. Megjithatë, ata tërheqin vëmendjen edhe mbi interpretimin e saktë të simptomave gastrointestinale, duke apeluar që të mos krijohet panik e panevojshme për helmime masive pa një konfirmim laboratorik. “Jo çdo rast me këto simptoma mund të konsiderohet automatikisht si helmim ushqimor, pasi nevojitet vlerësim mjekësor për përcaktimin e shkakut”, nënvizojnë nga ky institucion shëndetësor në Tetovë. Për t’u përballur me këtë situatë, mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe vetëdijesim. Ata këshillojnë shmangien e daljeve gjatë ditës në diell dhe konsumim të vazhdueshëm të lëngjeve me qëllim që të parandaluar kolapset fizike. Në fund të njoftimit të tyre, Spitali Klinik i Tetovës ka dalur me një apel. “Qytetarëve që gjatë temperaturave të larta të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell dhe, në rast të simptomave më serioze, të kërkojnë në kohë ndihmë mjekësore”, thonë nga Spitali Klinik i Tetovës. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close