
Vonesat në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë si pasojë e mungesës së një mekanizmi të posaçëm që do të monitoronte dhe kontrollonte procesin e implementimit të saj. Kështu vlerëson Naser Ziberi, një nga figurat politike që ka qenë aktiv në procesin e hartimit të kësaj marrëveshjeje.
Në një prononcim për TV Koha, Ziberi përgjegjësinë për vonesat ua atribuon partive politike që gjatë këtyre viteve kanë qenë pjesë e pushtetit. Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar pas konfliktit të vitit 2001, është dashur të zbatohet në tërësi brenda një periudhe katërvjeçare nga nënshkrimi i saj.
Marrëveshja e Ohrit është larg asaj që shqiptarët së bashku kishin si kërkesë dhe si pritshmëri. Mendoj se gjatë procesit negociues nuk u arritën synimet të cilat, unë së paku vlerësoj se ishte e domosdoshme. Për disa çështje problematike dhe problemi i dytë i Marrëveshjes së Ohrit është prolongimi i tejskajshëm i implementimit të saj në praktikë.
Por, sipas Ziberit, vonesat nuk janë e vetmja problematikë që e ka shoqëruar procesin e zbatimit të marrëveshjes. Ai tregon se vetëm pak ditë para nënshkrimit të saj, negociatat mes dy palëve ishin ndërprerë si pasojë e ngjarjeve në Karpallak. Sipas tij, bisedimet u ndërprenë pikërisht në një moment kur po diskutoheshin disa nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes, të cilat edhe sot mbeten pjesë e debatit politik.
Defekti i madh i Marrëveshjes së Ohrit është ajo që kjo marrëveshje nuk ka përfunduar me marëveshje. Ajo është nënshkruar, por process negociues i cili përfundon me marrëveshje të dy palëve, nuk ka. Për arsye se bisedat, negociatat në Ohër nuk kanë përfunduar. Janë ndërprerë si rezultat i ngjarjeve të karpallakut dhe kjo për pasojë pat që në M.O të mos mbyllen tre çështje kyçe, siç është çështja e tekstit të preambulës, çështja e përdorimit të gjuhës dhe çështja e arsimit sipëror, universitar, dhe sot në kushtetutë, që është derivat i M.O nuk e kemi të garantuar në gjuhën shqipe arsimin sipëror.
Më 13 gusht shënohen 25 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pavarësisht mangësive dhe vonesave në zbatimin e saj, Ziberi vlerëson se marrëveshja ka pasur rol të rëndësishëm në avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, më 12 dhe 13 gusht, nën moton “25 përtej”, Qeveria do të organizojë një seri panelesh dhe debatesh. Në fokus do të jenë rëndësia e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zhvillimet pas nënshkrimit të saj, avancimi i marrëdhënieve ndëretnike, si dhe rruga e vendit drejt integrimit evropian.



