
Kuvendi Studentor i Universitetit “Nënë Tereza” (UNT) ka dorëzuar një kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, përmes së cilës kërkon që studentëve shqiptarë t’u mundësohet dhënia e provimeve profesionale në gjuhën shqipe. Nga Kuvendi Studentor bëjnë të ditur se kërkesa i është drejtuar ministrit të Drejtësisë, ndërsa theksojnë se institucionet duhet të respektojnë dhe zbatojnë të drejtat që, sipas tyre, garantohen me Kushtetutë dhe ligj, shkruan gazeta KOHA.
“Sot, si Kuvend Studentor, dorëzuam kërkesën e radhës drejtuar Ministrit të Drejtësisë, me qëllim që studentëve shqiptarë t’u mundësohet dhënia e provimeve profesionale në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftim. Studentët theksojnë se kërkesa e tyre nuk duhet të interpretohet si përpjekje për të siguruar privilegje, por si kërkesë për trajtim të barabartë dhe zbatim të legjislacionit në fuqi. “Ne kërkojmë që të respektohen dhe të zbatohen të drejtat tona, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj. Kjo nuk është kërkesë për privilegje, por kërkesë për barazi, drejtësi dhe zbatim të ligjit”, thekson Kuvendi Studentor.
Në reagim bëhet e ditur se studentët do të vazhdojnë të insistojnë që parimi i multietnicitetit të mos mbetet vetëm formal, por të zbatohet edhe në praktikë, duke siguruar mundësi të barabarta për të gjithë studentët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
“Si studentë, do të vazhdojmë të kërkojmë që parimi i multietnicitetit të respektohet në praktikë dhe që çdo student, pavarësisht përkatësisë etnike, të ketë mundësi të barabarta për të ushtruar të drejtat e tij”, thuhet më tej. Kuvendi Studentor i UNT-së e përmbyll njoftimin me mesazhin se të drejtat e garantuara nuk duhet të varen nga vullneti i institucioneve. “Të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj nuk kërkohen si favor, ato zbatohen”, përfundon njoftimi i Kuvendit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”.



