LajmeMaqedoniTopLajm

Aeroporti i Ohrit, pasqyrë e diskriminimit kombëtar

Nga Prof.Petrit POLLOZHANI

Para dy ditësh nga Aeroporti i Ohrit udhëtova për në Aeroportin e Cyrihut. Në aeroport, si zakonisht, mbi 90% të udhëtarëve ishin shqiptarë. Krahasuar me udhëtimin e fundit (para 3 vitesh), në Aeroportin e Ohrit gjithçka kishte ndryshuar. Atëherë pankartat në lidhje me rregullat e udhëtimit ishin të shkruara në maqedonisht, anglisht dhe shqip. Komunikimi po ashtu bëhej në këto tri gjuhë. Pas ardhjes së VMRO-së në pushtet, gjuha shqipe në aeroport ishte flakur. Më ranë në sy punësime të reja; me sa pashë unë, të gjithë ishin të etnitetit maqedonas. Veprimet e tilla tregojnë se Aeroporti i Ohrit është një pasqyrë reale e diskriminimit kombëtar. Çfarë mendësie ka pushteti aktual? Një populli autokton me afër 40% të popullsisë së përgjithshme i mohohet gjuha amtare. Në shtetet demokratike nuk merret një e drejtë e fituar; përkundrazi, ato vetëm zgjerohen.

Një botë demokratike u vërejt sapo u vendosëm në aeroplan. Kompania ajrore “Chair” e Zvicrës komunikonte me udhëtarët në tri gjuhë: anglisht, gjermanisht dhe shqip. Kur arritëm në Zvicër, komunikimi ishte në tri gjuhë: gjermanisht, italisht dhe frëngjisht. Gjuhët amtare atje janë zyrtare sepse popujt janë autoktonë.

Në MV edhe në shenjat e reja të komunikacionit në autostradën e re Kërçovë-Strugë nuk gjen emërtime në gjuhën shqipe, edhe pse shqiptarët janë shumicë dhe janë autoktonë. Kosova është shembull tipik i botës demokratike. Atje serbët janë rreth 4% e popullsisë dhe gjuha e tyre është zyrtare në të gjithë territorin e Kosovës. Gjuha është mjet komunikimi. Nisur nga ky parim, në Kampionatin Evropian para dy vitesh në Gjermani, në qytetin ku luante kombëtarja shqiptare, të gjitha informacionet ishin edhe në gjuhën shqipe. Zhvillimet e tilla lindin shumë pyetje, si p.sh.:

– Pse MV nuk lëviz drejt botës demokratike, por drejt asaj serbe dhe ruse? Përse nuk kërkoni alternativa të tjera për të fituar vota, por mbani pushtetin vetëm duke reduktuar të drejtat shqiptare?

Po partia shqiptare në pushtet (VLEN-i), pse hesht? Pse ajo nuk e ngre zërin? Pse lejon të merret një e drejtë e fituar? Përse VLEN-i pranon një ligj diskriminues për të ashtuquajturin Ligj për përfaqësim të drejtë? Ai nuk ka kuota etnike dhe, si i tillë, asesi nuk duhet pranuar dhe votuar. Nuk e kuptoj dot përse nuk pranon amendamentin për kuota etnike. Pa këtë kriter, diskriminimi i shqiptarëve është i vulosur. Një gabim i tillë nuk duhet lejuar.

BDI nuk i përmbushi pritshmëritë e mia. Nuk jam pajtuar me politikat e saj, por një gjë nuk mund t’i mohohet: ajo gjithnjë kishte legjitimitet. VLEN-i është zhgënjimi më i madh, i cili madje nuk ka as legjitimitet. Nuk jam as anëtar dhe as simpatizues i asnjë partie. Partitë shqiptare, derisa janë në opozitë, mbrojnë interesin kombëtar; pasi hyjnë në qeveri, ato mbrojnë vetëm interesin e xhepit të vet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close