LajmeMaqedoniTopLajm

Trajanovski paralajmëron: Ndotja e ujit në Gostivar mund të sjellë raste hepatiti

Pas katër javësh pa ujë të sigurt për konsum, situata në Gostivar po shndërrohet në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve, deklaron mjeku Aleksandar Trajanovski.

Ai shprehet se, krahas simptomave të raportuara deri tani, si të vjella, diarre dhe temperaturë e lartë, zgjatja e krizës mund të shkaktojë edhe shfaqjen e hepatiteve virale. Sipas tij, një nga arsyet lidhet me vështirësinë që kanë qytetarët për të ruajtur higjienën personale për shkak të mungesës së ujit.

Trajanovski, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të opozitës LSDM, e lidh këtë krizë, të nisur në fund të qershorit, me mungesën e përgatitjes dhe bashkërendimit mes institucioneve. Ai thotë se epidemia duhej të shpallej më herët, në mënyrë që kapacitetet të përforcoheshin në kohë dhe situata në terren të vlerësohej siç duhet.

Mjeku i kërkon Qeverisë të publikojë në mënyrë të hapur rezultatet e analizave të ujit dhe të sqarojë shkaqet e ndotjes. Trajanovski thekson se qytetarët nuk duhet të presin deri më 20 gusht për të marrë përgjigje.

Sipas tij, përballë kësaj situate duhet të ndërmerren masa të menjëhershme dhe konkrete për mbrojtjen e shëndetit publik, në vend që vëmendja të përqendrohet te përplasjet politike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close