
Të ardhurat në Buxhet që nga fillimi i vitit po arkëtohen në përputhje me planin dhe me rritje, krahasuar me vitin paraprak. Njëkohësisht edhe në anën e shpenzimeve detyrimet po paguhen në përputhje me planin. Të dhënat mbi realizimin e Buxhetit 2026 deri më datë 31 korrik tregojnë se të ardhurat e përgjithshme janë realizuar në vlerë prej 204.553 miliardë denarëve, që është 53.9% e vlerës së planifikuar dhe shënon rritje prej 9.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga tatimet, si të ardhura burimore, janë realizuar në vlerë prej 117.963 miliardë denarëve ose 55.33% e planit dhe ka shënuar rritje prej 10% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Te të ardhurat tatimore, realizim më i lartë në përputhje me planin prej 62.8%, është evidentuar te tatimi mbi fitimin, nga i cili në Buxhet janë arkëtuar 16.687 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 20.6% krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit 2025. Realizim prej 56.78% e planit është arritur edhe te TVSH-ja, me të ardhura në vlerë prej 53.026 miliardë denarësh, ose 13.4% më shumë krahasuar me periudhën 01.01–31.07.2025. Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 20.925 miliardë denarë, që është 53.93% e planit dhe shënoi rritje prej 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga detyrimet e importit janë realizuar në vlerë prej 9.361 miliardë denarësh, që paraqet 56.4% të planit dhe shënojnë rritje prej 10.3%. Njëkohësisht, është kryer edhe kthimi i TVSH-së për kompanitë në vlerë prej 23.333 miliardë denarësh, që është 3.5% më i lartë se kthimi i realizuar në periudhën janar-korrik të vitit 2025.
Këto të dhëna për realizimin e të ardhurave burimore tregojnë se ekonomia vazhdon të ruajë trendin e stabilitetit dhe rritjes së ekonomisë, me ç’rast e konfirmojnë edhe të dhënat më të fundit për prodhimin industrial, sipas të cilave në muajin qershor është regjistruar rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në anën e shpenzimeve, realizim të konsiderueshëm kanë shënuar shpenzimet kapitale, të cilat arritën në 21.288 miliardë denarë, duke regjistruar rritje prej 39.6% krahasuar me realizimin e shpenzimeve kapitale në shtatë muajt e parë të vitit 2025. Gjithashtu, për mbështetjen e projekteve në kompanitë vendore, janë transferuar 717 milionë denarë në Bankën Zhvillimore.
Gjithashtu, është realizuar pagesa e 49.351 miliardë denarëve për detyrimet që rrjedhin nga borxhet e vjetra në tregun e jashtëm, si dhe 11.665 miliardë denarë për pagesën e detyrimeve ndaj kreditorëve vendas. Gjatë kësaj periudhe janë paguar edhe obligacione për denacionalizimin në vlerë prej 308 milionë denarësh.



