
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka dënuar kërcënimet e vazhdueshme të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite, duke përfshirë edhe sulmin e fundit ndaj anijeve saudite në ujërat e Detit të Kuq. Ai ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Kosovës për përpjekjet për stabilitet në Lindjen e Mesme.
Konjufca ka deklaruar se veprimet e rebelëve janë të papranueshme, rrezikojnë parimin e lirisë së lundrimit dhe sigurinë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
“Shpreh solidaritetin e palëkundur të Kosovës me homologun tim, ministrin e jashtëm, Faisal bin Farhan Al-Saud, si dhe mbështetjen tonë për përpjekjet drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Jemen dhe më gjerë në rajon”, ka shkruar Konjufca në platformën X.



