LajmeRajon

Exclusive/ Ish-kryehetuesi i regjimit komunist rrëfehet për 2 prillin: Urdhrin e dha Ramiz Alia, tentuan të më arrestonin mua për…

Komunizmi ka vdekur në Europën Lindore shekullin e kaluar, por trashëgimia e tij ngërthen ende dëshirën për pushtet, politik dhe ekonomik të etërve që sunduan popujt nën thundrën e egër të diktaturës së proletariatit. Një armë propagandistike që me shpëlarjen e një makinerie të rëndë i ndau shqiptarët në një vëllazëri dashakeqe.

Qemal Lame ka qenë Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1982–1992. Ai ishte një nga juristët dhe zyrtarët më të rëndësishëm të aparatit shtetëror komunist. Gjatë mandatit të tij, Lame menaxhoi dosjet më sensitive politike të kohës. Pas rënies së regjimit në vitin 1992, u largua nga Shqipëria dhe përfitoi azil politik në Gjermani, ku jeton edhe sot. Ndryshe nga zyrtarët e vjetër partiakë, Lame kishte një profil të lartë arsimor ushtarak, juridik dhe ekonomik.

Në një bisedë për Exclusive në Top Channel ai flet edhe për vrasjte e 2 prillit në Shkodër, urdhrin e dhënë nga Ramiz Alia dhe më pas arratisjen e tij për shpëtuar arrestimit.

Stafa: Do të flasim tani për Ramiz Alinë, çfarë ishte ky njeri që raportohej çdo gjë tek ai? Çfarë roli kishte?

Lame: Ramizi ishte sekretari i parë i komitetit qëndror, pastaj në fund u bë president. Ai sipas ligjit, sipas kushtetutës dhe sipas ligjeve funksionale të prokurorisë, gjykatës dhe të ministrisë së brendshme, ishte detyrimi ligjor për të raportuar. Kjo është një veprimtari e njohur e asaj periudhe, por po të analizojmë këtë aktivitet, nuk ka shtet në botë që drejtuesit të mos raportojnë tek presidenti, direkt ose indirekt, sepse nuk do të ketë drejtim. Pa drejtim nuk ka shtet. Është e ligjshme. Ku qëndron paligjshmëria? Paligjshmëria në këtë drejtim është në manipulimet që bëhen. Këto janë të dënueshme. … Ishte mania që po nuk tregove forcën, nuk je i fuqishëm. Dhe kjo manifestohej në kontaktet, në mënyrën e komunikimit, në mënyrën e reagimit, tonin e zërit që kishte Enveri për shembull s’e kishin të tjerët. Kur fliste ai të fuste në varr, të fuste në dhe. … Në rast se në ligj kërkohej që persona të arrestoheshin mbi bazën e provave, ministri i brendshëm i krijonte prova. Si i krijonte provat? Nëpërmjet bashkëpunëtorëve. Krijonte dëshmitarë, u merrte dëshmi, kallëzime, në atë që u thoshte bashkëpunëtorëve dhe i paraqiste pastaj në qendër. Qendra i paraqiste në prokurori, prokurori i vinte firmën pa asnjë përgjegjësi, vetëm firmën…

Stafa: Në fund vendosët që të largoheshit nga Shqipëria, çfarë ndodhi me ju?

Lame: Është një periudhë shumë e rëndë, tragjike për mua. Kam punuar gjithë jetën time me shumë emocion, me shumë përgjegjësi, me sinqeritet dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm. ..Dhe ndryshimi i sistemit mua më gjeti në atë rrugën shumë të gjerë që unë kisha krijuar me punën time të madhe. Por që u ndodha përpara një humnere, jo vetëm që sistemi ra, por unë që kisha sakrifikuar në këtë drejtim, u vura në rrezik. Janë rreth pesë raste të pastra që donin të më asgjesonin fizikisht. I kam argumentuar ato dhe ato persona që e kanë bërë këtë veprim, jetojnë akoma, nuk guxojnë të flasin. .. Pse mora vendimin për t’u larguar? Më hoqën nga detyra, më lanë pa punë. M’u krijua një gjendje shumë e rëndë shpirtërore sepse kisha studiuar, kisha punuar, kisha kontribuar sa kisha mundur dhe nuk meritoja të shkoja në këtë gjendje. .. Në fund fare pastaj arriti që unë që hetova me përparësi procesin e dy të prillit në Shkodër, po përgatiteshin provat që mua të më arrestonin. Të më arrestonin pse unë zgjata hetimet, pse nuk u bënë hetimet në kohë. Unë ndikova që të arrestohej kryetari i degës, shefi i policisë dhe tre policët që dhanë urdhrin për të qëlluar mbi demonstruesit në Shkodër. Qëllimi ishte se urdhri kryesor ishte dhënë nga Ramiz Alia dhe pikërisht për të fshehur këto gjurmët, kërkohej që të arrestohej kryehetuesi. .. Dhe ishin ditët që do të arrestohesha, e dija. Çfarë do të bëja? Nuk kisha mundësi që të dilja jashtë shtetit. Kërkova ndihmë nga familjarët e mi, në rrethin tim të ngushtë se po të zgjerohesha më tepër do të merrej vesh që po kërkon të largohet. Në rrethin më të ngushtë familjar u gjet një pasaportë nga një i dënuar politik. Atë pasaportë e kisha dhuratë nga një i dënuar politik, nuk i them emrin sepse nuk e kam biseduar dhe nuk e njoh atë, por vetëm emrin e tij. Ai kishte thënë që jepjani këtë pasaportë, kam respekt për atë, dhe në rast se do t’i hyjë në punë ta marri. Mora atë pasaportën, kam paguar 1 mijë dollarë dhe kam ikur ilegal në drejtim të Gjermanisë. Kur kam kaluar në Rinas, mendoja se do të më arrestonin, isha i veshur me kostum se ashtu ishte periudha atëherë dhe vura syzet. Thashë po vë syzet të shikoj si mund të kaloj, se nuk e kisha idenë se si iket jashtë shtetit, e para. E dyta, nuk e mendoja që do të dilja jashtë shtetit, isha në një stres të jashtëzakonshëm. Jam mirënjohës atij oficeri që ishte në sportel atje, ai më pa, më njohu, pa pasaportën, sa pa pasaportën u ngrit dhe erdhi më dha pasaportën dhe më tha: “Rrugë e mbarë shoku Qemal”. I jam mirënjohës atij personi, nuk e di se kush është e me këtë rast i shpreh mirënjohjen time.

Related Articles

Back to top button
Close
Close