
TË JESH, APO TË MOS JESH…
Ose
GURBETI NUK FILLON ME IKJEN, POR ME DILEMËN E KTHIMIT
Ese letrare-refleksive mbi mërgimin, identitetin dhe kthimin, me elemente autobiografike dhe motive nga romani “Unë, Mario”.
Të qenit gurbetçar nuk fillon ditën kur njeriu migron. Atë ditë ai vetëm largohet. Ka një valixhe, një adresë të shkruar në një copë letre, disa të holla në xhep dhe bindjen se gjithçka që po ndodh është e përkohshme. Ndoshta nuk e di sa do të qëndrojë, por beson se do të kthehet. Pas një viti, pas pesë vjetësh, pasi të mbledhë ca para, pasi të ndërtojë shtëpinë, pasi t’i shkollojë fëmijët…
Gurbeti i vërtetë fillon shumë më vonë, në fund të asaj që mund ta quajmë karrierë mërgimtare. Puna është bërë, fëmijët janë rritur, shtëpia është ndërtuar dhe premtimi i kthimit nuk mund të shtyhet më duke u arsyetuar me nevojat e jetës. Atëherë njeriu mbetet vetëm përballë një pyetjeje që e ka shmangur me vite, se ku do të shkojë tani.
Në fillim të mërgimit nuk ka shumë vend për pyetje të tilla. Njeriu duhet të gjejë punë, të mësojë gjuhën, të kuptojë rregullat, të gjejë një dhomë, të dërgojë para në shtëpi. Nuk ka kohë të analizojë nëse i përket këtij vendi apo atij prej nga është nisur. Përkatësia është luks i atyre që e kanë të siguruar mbijetesën.
Mërgimtari i ri nuk mendon për identitetin. Mendon për orarin e punës.
Në romanin “Unë, Mario”, një nga çastet që e shpjegon këtë kalim është hyrja në restorant. Nga jashtë restoranti duket i ngrohtë dhe i qetë. Në sallë ka njerëz të veshur mirë, gota që shkëlqejnë dhe çifte që bisedojnë pranë dritareve. Por punëtori i ri nuk hyn nga dera kryesore. Dikush i bën shenjë nga anash dhe i thotë:
“Nga këtej.”
Ai kalon nëpër një korridor të ngushtë dhe hyn nga dera e pasme. Brenda nuk ka elegancën e sallës. Ka avull, vaj të djegur, mish, detergjent, tenxhere, urdhra, zëra të përzier dhe njerëz që lëvizin pa u ndalur.
Ky çast është më shumë se një fillim pune. Është hyrja e mërgimtarit në anën tjetër të shoqërisë.
Sallë ka tavolina, drita dhe mbrëmje të bukura. Ai që i prodhon këto mbrëmje qëndron diku tjetër, mes avullit dhe zhurmës së kuzhinës, dhe e sheh sallën vetëm përmes një dere që hapet e mbyllet për pak sekonda.
Mërgimi, në fillimet e tij, është shpesh pikërisht ky pozicion. Njeriu gjendet pranë jetës së të tjerëve, por nuk është ende pjesë e saj. Ai e mban në këmbë një botë që nuk e njeh e, as ajo ende nuk e njeh atë.
Askush nuk e pyet kush ka qenë më parë. Askush nuk interesohet çfarë ka studiuar, çfarë ka ëndërruar ose çfarë ka lënë pas. Vështrimi i punëdhënësit ndalet te shpatullat, duart dhe qëndrimi i tij. Trupi vlerësohet si mjet pune. Biografia mund të presë.
Kjo është një nga goditjet e para të migrimit. Jo puna e rëndë në vetvete, por çasti kur kupton se e kaluara jote nuk ka më peshën që kishte atje prej nga erdhe.
Megjithatë, njeriu përshtatet. Në fillim nga nevoja, pastaj nga zakoni. Mëson fjalët që i duhen për punë. Mëson kur duhet të flasë dhe kur duhet të heshtë. Mëson si të duket i sigurt edhe kur nuk kupton gjithçka. Mëson të mos e tregojë lodhjen, sepse të tjerët janë po aq të lodhur dhe askush nuk ka kohë të merret me shpirtin e tij.
Pastaj kthehet në dhomën ku banon. Jashtë vazhdon jeta e qytetit.
Ai mendon se, nëse qëndron mjaftueshëm gjatë, kjo mund të bëhet jeta e tij: puna, dhoma, klubi i fundjavës, të njëjtat fytyra dhe të njëjtat histori.
Por ai ende nuk e quan këtë gurbet. E quan fillim.
Në atë fazë, gjithçka konsiderohet e përkohshme. Dhoma është e përkohshme, puna, vetmia janë te përkohshme.
Edhe njerëzit me të cilët kalon fundjavën janë pjesë e një bashkësie të përkohshme.
Mërgimtarët krijojnë komunitete të tilla kudo. Takohen në kafene, klube, shoqata dhe banesa të vogla. Flasin për vendlindjen, për politikën, për njerëzit që kanë mbetur atje dhe për kthimin që do të ndodhë “së shpejti”. Në bisedat e tyre, vendi i origjinës duket gjithmonë më i afërt se sa është në të vërtetë.
Këto bashkësi i ndihmojnë të mos ndihen vetëm, por njëkohësisht e ruajnë iluzionin se jeta e vërtetë ndodhet diku tjetër.
Vitet kalojnë, por përkohshmëria nuk përfundon. Ajo vetëm organizohet më mirë.
Dhoma zëvendësohet me banesë. Puna e parë zëvendësohet me një punë më të sigurt. Njeriu mëson gjuhën. Krijon familje. Fëmijët fillojnë shkollën. Ai blen mobilie, sigurim shëndetësor, makinë dhe ndoshta edhe një banesë. Megjithatë vazhdon të thotë se është përkohësisht aty.
Përkohshmëria bëhet mënyrë jetese.
Ajo mund të zgjasë dyzet vjet!
Mërgimtari shpesh ndërton edhe një shtëpi në vendlindje. Jo gjithmonë sepse i duhet, por sepse ajo shtëpi është dëshmi se nuk është larguar përgjithmonë. Çdo kat i saj është një premtim i materializuar. Dhomat ndërtohen për fëmijët, ndonëse fëmijët tashmë e kanë jetën diku tjetër. Oborri rregullohet për pleqërinë, ndonëse askush nuk e di nëse pleqëria do të kalojë vërtet aty.
Shtëpia mbetet e mbyllur gjatë pjesës më të madhe të vitit. Hapet verës, ajroset, pastrohet dhe mbushet për disa javë me zëra. Pastaj mbyllet përsëri.
Shumë nga këto shtëpi janë monumente të kthimeve të shtyra.
Ato nuk janë ndërtuar vetëm me para. Janë ndërtuar me frikën se njeriu mund ta humbë vendin e vet.
Por vendi nuk ruhet vetëm me mure. Vendi ruhet me jetë. Dhe jeta, ndërkohë, është zhvendosur diku tjetër.
Mërgimtari që kthehet për pushime nuk e sheh gjithmonë këtë. Ai vjen për disa javë, takon të afërmit, pi kafe, bën vizita dhe përpiqet ta gjejë botën që ka lënë. Në kujtesën e tij vendlindja ka mbetur e ngrirë në çastin e largimit. Por ajo nuk ka qëndruar në pritje.
Rrugët kanë ndryshuar. Disa shtëpi nuk janë më. Njerëzit janë plakur. Disa kanë vdekur. Të tjerë kanë migruar. Miqtë e rinisë kanë familjet, hallet dhe ritmin e tyre. Edhe gjuha ka ndryshuar. Fjalët që mërgimtari i ka ruajtur me fanatizëm mund të tingëllojnë të vjetra për ata që jetojnë aty.
Ai njeh çdo rrugë, por jo më çdo fytyrë.
Edhe të tjerët e shohin ndryshe. Për ta ai është “ai i Zvicrës”, “ai i Gjermanisë”, “ai i Amerikës”. Mund të ketë lindur në shtëpinë pranë tyre, por gjatë verës trajtohet si mysafir. Ndonjëherë me respekt, ndonjëherë me zili, ndonjëherë me pritjen se duhet të paguajë më shumë, të ndihmojë më shumë dhe të ankohet më pak.
Në vendin ku ka shkuar është i huaj për shkak të prejardhjes. Në vendin nga është nisur bëhet i huaj për shkak të mungesës.
Këtu fillon ndarja e parë brenda tij.
Ai nuk është më plotësisht ai që ishte, por as nuk është bërë krejtësisht ai që kërkohej të bëhej.
Në “Unë, Mario”, kjo përplasje shfaqet edhe përmes emrit. Mario nuk është thjesht një emër tjetër. Është një mënyrë për ta bërë veten më të lehtë për t’u pranuar. Një emër që shqiptohet pa vështirësi, që nuk kërkon shpjegime dhe që nuk e ngadalëson bisedën.
Në fillim, kjo mund të duket si një gjë e vogël. Një përshtatje praktike. Njeriu mendon se emri nuk ia ndryshon thelbin. Ai mbetet i njëjti, pavarësisht se si e thërrasin.
Por emrat nuk janë vetëm tinguj. Ata mbajnë kujtime, familje, gjuhë dhe pritje. Kur njeriu pranon një emër tjetër për të funksionuar më lehtë, ai krijon edhe një version tjetër të vetes.
Mario bëhet maskë, por jo domosdoshmërisht maskë e rreme. Është një strategji mbijetese. Është ai që di të sillet në ambientin e ri, që e kupton ritmin e punës, që nuk e korrigjon çdo shqiptim dhe që nuk e shpjegon veten sa herë prezantohet.
Problemi nuk lind kur njeriu e vendos maskën. Problemi lind shumë vite më vonë, kur përpiqet ta heqë dhe nuk është më i sigurt se çfarë ka mbetur poshtë saj.
A është Mario vetëm emri me të cilin e thërrasin të tjerët, apo është bërë pjesë e tij? Edhe identiteti i parë, ai që ka pasur para se të niset, nuk ka mbetur i paprekur — ka ndryshuar ngadalë, pa e vënë re.
Migrimi nuk ia heq njeriut identitetin me një goditje. Ia riformon ngadalë. I shton gjuhë, zakone, frikëra dhe mënyra të reja të sjelljes. Mërgimtari mëson të kalojë nga një version i vetes te tjetri sipas vendit ku ndodhet.
Në punë flet një gjuhë. Në shtëpi një tjetër. Me fëmijët shpesh i përzien të dyja. Në vendlindje përpiqet të rikthehet në mënyrën e vjetër të të qenit, por zbulon se disa lëvizje, mendime dhe reagime tashmë i ka marrë nga vendi ku jeton.
Nuk bëhet fjalë për tradhti. Njeriu nuk e humb vendin e vet sepse mëson të jetojë në një vend tjetër. Por as nuk mund të pretendojë se ka mbetur i pandryshuar.
Ndonjëherë, pikërisht ata që flasin më shumë për ruajtjen e identitetit janë ata që e ndiejnë më fort se ai po u ndryshon.
Gjatë viteve aktive, puna e mbron njeriun nga këto pyetje. Ai zgjohet herët, shkon në punë, rrit fëmijët, paguan faturat dhe përpiqet të përmirësojë pozitën e vet. Nuk ka kohë të pyesë se cilit vend i përket. I duhet të sigurojë muajin tjetër.
Puna bëhet më shumë se burim të ardhurash. Bëhet mburojë.
Edhe ëndrrat e mbajnë të zënë. Dikush ëndërron të hapë një biznes. Dikush të blejë shtëpi. Dikush të shkruajë, të merret me gazetari ose të krijojë një radio. Ëndrra i jep kuptim durimit. Ajo i thotë se sakrifica e sotme nuk është e kotë.
Në roman, gazetaria i jep personazhit një vend ku fjala e tij ka peshë. Ai shkruan mes orareve të punës dhe netëve pa gjumë. Fillimisht për gazeta të vogla, pastaj për tema dhe ngjarje që të tjerët nuk i shohin. Gazetaria nuk paraqitet vetëm si profesion. Ajo bëhet mënyrë për t’u rikthyer nga një trup që vlerësohet për punë, në një njeri që dëgjon, pyet dhe interpreton.
Më vonë vjen radioja. Mikrofoni, zëri, frekuenca dhe bindja se fjala mund të mbërrijë diku. Për një mërgimtar, kjo ka edhe një kuptim tjetër. Zëri në radio nuk është vetëm zë profesional. Është dëshmi se ai nuk është më i padukshëm.
Mirëpo edhe ëndrra ka kohën e vet.
Në fund të romanit, kur radioja ekziston dhe vazhdon të transmetojë, njeriu që e ka ëndërruar nuk është më ai që luftonte për çdo minutë para mikrofonit. Hyn në studio dhe e sheh se mikrofoni është më i vogël nga sa e mbante mend. Ndoshta mikrofoni nuk është zvogëluar. Ndoshta ëndrra ishte më e madhe kur ende nuk ishte realizuar.
Radioja vazhdon edhe pa të.
Ky zbulim është i dhimbshëm, por edhe çlirues. Njeriu kupton se gjërat që ka ndërtuar nuk kanë nevojë për praninë e tij të përhershme. Ai nuk është më i domosdoshëum.
E njëjta gjë ndodh në fund të karrierës mërgimtare. Për dekada njeriu e ka matur veten me punën, përgjegjësitë dhe nevojën që të tjerët kishin për të. Pastaj vjen pensioni. Fëmijët kanë familjet e tyre. Vendi i punës vazhdon edhe pa të.
Për herë të parë pas shumë vitesh, mërgimtari ka kohë.
Dhe pikërisht atëherë fillon gurbeti.
Jo ditën kur ka ardhur, por ditën kur nuk ka më arsye praktike për të qëndruar dhe megjithatë nuk është i sigurt nëse mund të largohet.
Tani kthimi nuk është më një fjali që thuhet në tavolinë. Është vendim konkret: a e lë banesën ku ka jetuar, a largohet nga fëmijët dhe nipërit? Duhet të ndërrojë mjekun, sigurimin, ritmin e ditës, rrethin e njerëzve — gjëra që deri tani i kanë mbetur pas për muaj të tërë sa herë ka ardhur vetëm për pushime.
Këtu del në pah dallimi mes vizitës dhe kthimit.
Të kalosh tri javë në vendlindje nuk është njësoj si të jetosh atje. Gjatë pushimeve njerëzit kanë kohë për ty. Të ftojnë për kafe, organizojnë dreka dhe të pyesin për jetën jashtë. Por jeta e përditshme nuk është festë. Pas disa javësh secili kthehet te puna, problemet dhe familja e vet.
Mërgimtari mbetet në shtëpinë që ka ndërtuar për kthimin dhe zbulon se shtëpia nuk mjafton.
Mund të ketë dhoma, oborr dhe pamje të bukur, por nuk ka domosdoshmërisht një jetë që e pret.
Këtu njerëzit ndahen në dy grupe.
Në ata që nuk dinë më pse të kthehen. Dhe ata qe e dinë, por tanimë nuk mund te kthehen.
Të dy palët e dinë ku është vendlindja, e duan, kanë shtëpi, varre familjare, kujtime dhe njerëz të afërt. Por nuk gjejnë më një arsye të mjaftueshme për ta lënë jetën që kanë ndërtuar jashtë.
Vendlindja që mbajnë në kujtesë nuk ekziston më. Vendi ku kanë jetuar nuk është pranuar kurrë plotësisht si atdhe. Ata kanë qëndruar gjatë mes dy vendeve, duke besuar se një ditë do të zgjedhin, por koha ka zgjedhur në vend të tyre.
Ata nuk janë vetëm mes dy shteteve. Janë mes dy botërave.
Njëra botë është ajo që kanë lënë pas. Tjetra është ajo që kanë jetuar duke e quajtur të përkohshme.
Kthimi i tyre nuk mund të jetë më kthim në kuptimin e mirfillt. Sepse njeriu që kthehet pas dyzet vjetësh nuk është më ai që u nis. Edhe vendi ku kthehet nuk është më ai që la.
Pra, kush kthehet dhe ku kthehet?
Kthehet një njeri i ndryshuar në një vend të ndryshuar.
Kjo është arsyeja pse shumë kthime prodhojnë zhgënjim. Njeriu nuk kërkon vetëm një vend. Kërkon vazhdimin e një jete të ndërprerë. Por jeta nuk ka pritur. Ajo ka vazhduar në të dyja anët.
Vendlindja është zhvilluar pa të. Fëmijët kanë kindur dhe rritur diku tjetër. Ai vetë ka krijuar zakone që dikur i konsideronte të huaja. Kërkon atë që ka lënë, por gjen vetëm gjurmët e saj.
Ndoshta mërgimtari nuk kthehet kurrë aty prej nga është nisur. Ai mund të kthehet në të njëjtin qytet, në të njëjtën rrugë dhe në të njëjtën shtëpi, por jo në të njëjtën jetë.
Më pas, edhe pyetja e varrit bëhet pjesë e kësaj dileme. Ku do të varroset njeriu që nuk ka ditur ku të jetojë plotësisht?
Disa dëshirojnë të varrosen në vendlindje. Sikur kthimi që nuk u realizua gjatë jetës të mund të realizohet pas vdekjes. Të tjerë duan të mbeten pranë fëmijëve, në tokën ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Asnjëra zgjedhje nuk është e lehtë.
Varri në vendlindje mund të jetë kthim simbolik, por fëmijët mbeten larg. Varri në vendin e migrimit e mban familjen afër, por duket sikur e vulos përfundimisht largimin.
As edhe vdekja nuk e mbyll menjëherë çështjen e gurbetit!
Megjithatë, mërgimi nuk është vetëm humbje. Do të ishte e padrejtë të trajtohej si një tragjedi e pandërprerë. Ai ka hapur rrugë, ka shpëtuar familje nga varfëria, ka shkolluar fëmijë, ka krijuar siguri dhe u ka dhënë njerëzve mundësi që ndoshta nuk do t’i kishin pasur në vendlindje.
Mërgimtari ka fituar një këndvështrim të dyfishtë. Ai e njeh vendin e vet nga larg dhe vendin e huaj nga brenda. E di se asnjë shoqëri nuk është aq e përsosur sa e paraqet veten. E di gjithashtu se asnjë vend nuk mund të reduktohet vetëm në problemet e tij.
Ai ka mësuar të jetojë mes gjuhëve, zakoneve dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit. Kjo mund ta lodhë, por edhe e pasuron.
Problemi fillon kur prej tij kërkohet të zgjedhë vetëm njërën anë.
Në vendin ku jeton duhet të dëshmojë se është integruar. Në vendlindje duhet të dëshmojë se nuk e ka harruar origjinën. Diku dyshohet se nuk është bërë mjaftueshëm vendas. Diku tjetër akuzohet se është bërë tepër i huaj.
Por jeta e njeriut nuk është provim besnikërie.
Ai nuk ka pse ta mohojë njërën pjesë të vetes për ta ruajtur tjetrën. Mund të jetë formuar nga dy vende pa qenë gjysmë njeri në secilin. Mund të ketë dy gjuhë, dy kujtesa dhe dy mënyra të të parit të botës.
Të kesh dy atdhe nuk do të thotë gjithmonë të kesh dy shtëpi. Ndonjëherë do të thotë të mos kesh asnjë.
Kur është në vendin e migrimit, i mungon vendlindja. Kur është në vendlindje, i mungon jeta që ka ndërtuar jashtë. Kur është këtu, mendon për atje. Kur shkon atje, pas disa javësh fillon të mendojë për kthimin këtu.
Ndoshta zgjidhja nuk është ta përfundojë këtë ndarje, por ta pranojë.
Fundi i karrierës mërgimtare nuk duhet të jetë domosdoshmërisht zgjedhje mes dy vendeve. Mund të jetë çasti kur njeriu pushon së kërkuari një përgjigje të pastër.
Ndoshta nuk ka kthim të plotë. Ka vetëm kthime të vogla: te gjuha, te kujtimet, te një rrugë a një varr që nuk i harrohet kurrë, te shija e një gjelle që e kthen fëmijërinë për një çast, te një fjalë që në asnjë gjuhë tjetër nuk përkthehet njësoj.
Te emri i parë, të cilin njeriu nuk e ka harruar edhe kur të tjerët e kanë thirrur Mario.
Dhe ka edhe qëndrime që ngjajnë me kthimin.
Njeriu mund të mbetet në vendin ku ka migruar, por më në fund të pajtohet me veten. Mund ta pranojë se jeta e tij nuk ishte një pritje e gjatë para kthimit. Ishte vetë jeta.
Kjo është ndoshta e vërteta më e vështirë.
Në rini, mërgimtari mendon se po sakrifikon disa vite për të ardhmen.
Në pleqëri, kupton se ato vite ishin e ardhmja.
Përkohshmëria nuk ishte një pjesë e jetës së tij. Ishte forma në të cilën e jetoi jetën.
Prandaj gurbeti fillon vonë. Fillon kur mbaron zhurma e punës dhe njeriu dëgjon pyetjet që kishte heshtur. Fillon kur ëndrra është realizuar, por ai nuk ka më të njëjtën nevojë për të. Fillon kur radioja vazhdon pa të, kur restoranti hapet pa të, kur fëmijët nuk kanë më nevojë ta presin vendimin e tij.
Atëherë ai mbetet me dy pyetje:
Pse të kthehet?
Dhe ku të kthehet?
Për disa nuk ka më përgjigje të qartë.
Por ndoshta nuk është e domosdoshme të ketë.
Sepse gurbetçari nuk është vetëm njeriu që ka lënë vendin e vet. Është njeriu që ka mbajtur brenda vetes disa vende, disa emra dhe disa jetë, ndonjëherë pa e ditur as vetë se cilën prej tyre po e jeton në një çast të caktuar.
Dhe në fund kupton se vendi i tij ka ecur edhe pa të.
Muhamet Ajeti



