LajmeMaqedoni

VMRO-DPMNE do të pranojë çdo marrëveshje për Kodin Zgjedhor, nëse përfshihet votimi i diasporës

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, sot u bëri thirrje partive opozitare që të arrijnë marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor deri më 15 korrik, duke theksuar se shumica qeverisëse do të mbështesë çdo variant për të cilin do të bien dakord ato, nëse parashihet votimi i diasporës.

Stojanoski, në një konferencë për media në Kuvend, theksoi se grupi punues i përbërë nga koordinatorët e grupeve parlamentare ka zhvilluar takime të shtunën dhe të martën, kur, siç theksoi ai, VMRO-DPMNE ka dalë me një ofertë për tejkalimin e dallimeve lidhur me Kodin Zgjedhor.

“Sot është e premte, ende nuk kemi asnjë përgjigje për ofertën që e kemi paraqitur, nuk është paralajmëruar asnjë iniciativë për takim mes partive opozitare. Të hënën është tashmë 13 korriku, afati i fundit që kemi si shtet për ta përmbyllur këtë qëllim, në mënyrë që të kemi 10 nga 10 detyra të përmbushura, afati përfundimtar është 15 korriku, konsiderojmë se kjo çështje është tepër serioze që të politizohet”, tha Stojanoski.

VMRO-DPMNE, shton ai, do të pranojë gjithçka për të cilën do të bien dakord partitë opozitare BDI, LSDM, E Majta, si dhe blloku i Zijadin Selës dhe Arben Taravarit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një njësi zgjedhore, modelin e financimit të partive politike apo mekanizmat për ankesat zgjedhore.

Ai thotë se ende ka kohë deri më 15 korrik që të arrihet një marrëveshje dhe përsëri u bëri thirrje partive opozitare që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe t’i tejkalojnë dallimet.

Sipas Stojanoskit, qëndrimet e ndryshme për një njësi zgjedhore, financimin e partive politike dhe çështjet e tjera nuk duhet të jenë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje, nëse sigurohet e drejta e votës për diasporën.

Related Articles

Back to top button
Close
Close