LajmeMaqedoni

Të rinjtë presin punë, Agjencia e Punësimit ofron skandale e keqpërdorime!

Agjencia e Punësimit nën dyshime për keqpërdorime masive, derisa të rinjtë kërkojnë punë institucioni kompetent po hetohet për keqpërdorime.  Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për Agjencinë e Punësimit të RMV-së për vitin 2024 tregon qartë që shpresat dhe pritshmëritë e të papunëve do të ngelin akoma të tilla. Institucioni që duhet të jetë dera hyrëse drejt tregut të punës, rezulton të jetë një nga burimet kryesore të parregullsive, keqmenaxhimit dhe pabarazisë. Dhe kjo ndodh në një vend ku mijëra të rinj presin me vite për një vend pune.

Kontrata tre-ditore, vazhdime të paligjshme dhe kompensime të fryra

Gjetjet e revizionit janë alarmante: 67,91% e kompensimeve për papunësi janë paguar mbi bazën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës me kontrata të kohës së caktuar. Në praktikë, kjo është shndërruar në një mekanizëm abuzimi. Janë zbuluar kontrata pune të lidhura vetëm për tre ditë, kontrata të vazhduara përtej kufirit ligjor prej pesë vjetësh, si dhe raste të ripunësimit te i njëjti punëdhënës pas shfrytëzimit të kompensimit.

Kjo nuk është thjesht shkelje teknike por është dëshmi se sistemi i punësimit po përdoret për të krijuar të drejtën e kompensimit, jo për të krijuar vende pune. Ndërkohë, të rinjtë që kërkojnë punë reale mbeten jashtë skemave, sepse skemat përdoren për qëllime të tjera.

Pabarazi rajonale ku punësimi aktiv vetëm për disa qytete

Programet aktive të punësimit të cilat duhet të jenë mjeti kryesor për integrimin e qytetarëve në tregun e punës janë shpërndarë në mënyrë skajshmërisht të pabarabartë. Te masa “vetëpunësim”, 62% e mjeteve janë realizuar vetëm në pesë qytete. Te “subvencionimi” i pagave, gjysma e aplikacioneve të miratuara vijnë nga vetëm katër qendra punësimi. Te masa “punësimi dhe rritja e subjekteve juridike”, 64% e aplikacioneve janë përqendruar në pesë qendra.

Kjo tregon se politikat e punësimit nuk janë kombëtare por janë lokale. Dhe kjo krijon një treg pune të pabarabartë, ku mundësitë varen nga vendbanimi, jo nga nevoja apo meritokracia. Rajonet e tjera mbeten jashtë, ndërsa disa qendra punësimi shndërrohen në “porta privilegji”.

Programet e IT-së investim i madh por pa rezultate

Masa për aftësitë e avancuara të IT-së duhej të ishte kulmi i modernizimit të tregut të punës. Por rezultatet flasin ndryshe pasi 1,39 milionë euro të shpenzuara, vetëm 25% e kandidatëve e kanë kaluar provimin përfundimtar.

Kjo tregon se programet nuk janë të dizajnuara sipas nevojave reale të tregut, nuk monitorohen si duhet dhe nuk prodhojnë kapacitete të qëndrueshme. Në vend të krijimit të profesionistëve të rinj krijohen statistika të dobëta.

Honorare juridike janë të tmerrshme 77% për një avokat të vetëm

Një nga gjetjet më skandaloze është fakti se 77,46% e shpenzimeve për avokati janë paguar për një avokat të vetëm. Janë kryer pagesa pa dokumentacion të plotë, janë paguar ekspertiza pa prokurim publik, dhe një pjesë e shërbimeve juridike kanë të bëjnë me punë administrative që mund të kryheshin nga vetë APRMV por institucioni nuk ka kapacitete kadrovike.

Institucionet në vend të zgjidhjeve po zgjedhin të prodhojnë skandale

Ky raport nuk është rast i parë dhe me gjasë nuk do të jetë as i fundit, vetëm pak javë më parë, ESHR konstatoi parregullsi të ngjashme në Klinikën Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare. Kjo tregon se problemi është sistemi mungesë kapacitetesh, mungesë kontrolli dhe mungesë transparence.

Ndërkohë, të rinjtë e RMV-së vazhdojnë të largohen. Jo sepse nuk duan të punojnë por sepse institucionet që duhet t’i ndihmojnë nuk funksionojnë. Agjencia e Punësimit, në vend që të jetë mekanizmi kryesor për integrimin e qytetarëve në tregun e punës, është shndërruar në shembullin më të qartë të keqmenaxhimit institucional. .

Related Articles

Back to top button
Close
Close