
Një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës ka bindur David Beckham se meriton një shans në krah të yjeve më të mëdhenj të futbollit.
Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, pritet t’i bashkohet Inter Miamit me një transferim pa pagesë, ku do të ndajë dhomën e zhveshjes me Lionel Messin dhe Luis Suarezin.
Portieri 40-vjeçar u kthye në një nga protagonistët më të komentuar të turneut, falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme me kombëtaren afrikane. Gjatë Botërorit, ai fitoi miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe u shndërrua në një nga figurat më të dashura të kompeticionit.
Sipas mediave spanjolle, veçanërisht AS, David Beckham u impresionua nga paraqitja e Vozinhës në ndeshjen kundër Argjentinës në fazën me eliminim direkt dhe vendosi ta afrojë atë te klubi amerikan.
Kepi i Gjelbër zhvilloi një aventurë historike në këtë Botëror, duke surprizuar me paraqitjet ndaj skuadrave të mëdha. Skuadra afrikane mori rezultate pozitive ndaj Spanjës dhe Uruguait në fazën e grupeve dhe më pas e detyroi Argjentinën të vuante deri në minutat shtesë.
Vozinha u bë një nga simbolet e këtij rrugëtimi. Ai realizoi një numër të madh pritjesh vendimtare, duke mbajtur portën të paprekur ndaj Spanjës dhe duke u shpallur lojtari i ndeshjes. Shumë tifozë menduan se e meritonte edhe çmimin ndaj Argjentinës, por ai iu dha Lionel Messit.
Pas përfundimit të ndeshjes kundër Argjentinës, Vozinha tregoi edhe bisedën emocionuese me yllin argjentinas, i cili tashmë pritet të jetë shoku i tij i skuadrës.
“Shkova te Messi pas ndeshjes. Ai më përqafoi dhe më tha: ‘Je i madh. Njerëzit e tu duhet të jenë krenarë për ty’. Ishte diçka e jashtëzakonshme për mua. Të dëgjosh fjalë të tilla nga dikush si Leo Messi do të thotë shumë”, rrëfeu portieri.
Vozinha tregoi se më pas i kërkoi Messit të shkëmbenin fanellat dhe argjentinasi i premtoi se do t’ia jepte në tunel pas intervistave.
Paraqitjet e tij ishin mbresëlënëse: ai realizoi shtatë pritje ndaj Spanjës dhe tetë ndaj Argjentinës, duke fituar admirimin e tifozëve në mbarë botën.
Pas çmimit të lojtarit të ndeshjes ndaj Spanjës, Vozinha u përlot, duke shpjeguar se emocionet lidhen edhe me historinë e familjes së tij dhe faktin se në stadium nuk mund të ishte nëna e tij për shkak të problemeve me vizën amerikane.
“Qava sepse jam rritur me gjyshërit e mi. Ata ishin gjithçka për mua, për jetën time. Dhe gjithashtu për nënën time. Ajo nuk arriti të ishte këtu për shkak të vizës dhe kostove që lidhen me të. Do të doja shumë që të ishte pranë meje”, tha Vozinha.
Pas një karriere të gjatë me nëntë klube të ndryshme, portieri veteran tani është pranë një kapitulli të ri të jashtëzakonshëm: të luajë përkrah Lionel Messit në Inter Miami.



