
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në shënimin e 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, bëri thirrje që kujtesa për viktimat të shndërrohet në përgjegjësi të përbashkët, me qëllim që urrejtja, mohimi dhe gjenocidi të mos përsëriten kurrë më.
Në fjalën e tij, Gashi theksoi se nderimi më i madh që mund t’u bëhet viktimave është të thuhet e vërteta pa hezitim.
“Në Srebrenicë ndodhi një gjenocid i planifikuar. Vetëm duke e emërtuar saktë këtë krim kundër njerëzimit, mund të mbrojmë vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohen shoqëritë tona: dinjitetin njerëzor, lirinë, drejtësinë dhe paqen”, deklaroi Gashi.
Ai vlerësoi se përkujtimi i 11 Korrikut nuk duhet të mbetet vetëm një akt simbolik, por një zotim i përbashkët për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për parandalimin e krimeve të tilla në të ardhmen.
Në fund të mesazhit të tij, kryeparlamentari shprehu nderimin për viktimat e masakrës së Srebrenicës, duke theksuar: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat e Srebrenicës.”



