LajmeMaqedoni

Industria humb mijëra vende pune

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2025 në vend ishin të punësuar gjithsej 614.334 persona. Nga ta, 330.240 ose 53.8 për qind janë burra, ndërsa 284.094 ose 46.2 për qind janë gra. Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i të punësuarve është zvogëluar për vetëm 0.1 për qind, çka në praktikë nënkupton se tregu i punës ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.

 Tregu i punës gjatë vitit 2025 nuk ka shënuar përparimin që pritej. Të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me një vit më parë, duke dëshmuar se ekonomia nuk ka krijuar një valë të re punësimi, pavarësisht pritjeve dhe premtimeve për rritje të vendeve të punës. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2025 në vend ishin të punësuar gjithsej 614.334 persona. Nga ta, 330.240 ose 53.8 për qind janë burra, ndërsa 284.094 ose 46.2 për qind janë gra. Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i të punësuarve është zvogëluar për vetëm 0.1 për qind, çka në praktikë nënkupton se tregu i punës ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.

Megjithatë, pas këtij rezultati fshihen ndryshime të rëndësishme në strukturën e punësimit. Rënia më e madhe është regjistruar në industrinë përpunuese, ku numri i të punësuarve është ulur për 5.2 për qind. Duke qenë se industria përpunuese mbetet punëdhënësi më i madh në vend, kjo rënie ka ndikuar drejtpërdrejt që numri i përgjithshëm i të punësuarve të mos shënojë rritje.

Nga ana tjetër, punësimi është rritur në sektorët e shërbimeve. Numri i të punësuarve në akomodim dhe veprimtari të shërbimit ushqimor është rritur për 5.5 për qind, ndërsa në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse është shënuar një rritje prej 3.3 për qind. Kjo tregon se vendet e reja të punës po krijohen kryesisht në sektorët e shërbimeve, ndërsa sektorët prodhues vazhdojnë të humbasin punëtorë. Edhe struktura e punësimit sipas veprimtarive ekonomike konfirmon se industria përpunuese mbetet shtylla kryesore e tregut të punës, me 120.209 të punësuar. Pas saj renditet tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve, ku punojnë 106.250 persona. Administrata publike ka punësuar 44.983 persona, arsimi 44.337, ndërsa shëndetësia dhe mbrojtja sociale 43.288 persona. Ndërtimtaria vazhdon të punësojë 34.446 persona, ndërsa transporti dhe magazinimi 34.510.

Statistikat evidentojnë edhe dallime të mëdha gjinore në tregun e punës. Gratë dominojnë në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarive financiare. Në shëndetësi dhe mbrojtje sociale janë të punësuara 33.291 gra kundrejt 9.997 burrave, ndërsa në arsim 30.045 gra dhe 14.292 burra. Në anën tjetër, ndërtimtaria mbetet një sektor pothuajse ekskluzivisht mashkullor, me 29.204 burra dhe vetëm 5.242 gra të punësuara. Dominim i ngjashëm i burrave vërehet edhe në miniera, transport dhe furnizimin me energji. Ndërkaq, tregtia mbetet sektori me përfaqësimin më të balancuar gjinor, ku janë të punësuar 53.465 burra dhe 52.785 gra, duke qenë një nga degët e rralla ku pjesëmarrja e grave dhe burrave është pothuajse e barabartë.

Ndryshe, megjithëse shifrat tregojnë se numri i të punësuarve nuk ka pësuar rënie të madhe, ato nuk reflektojnë as zgjerim të tregut të punës. Përkundrazi, ekonomia duket se po lëviz në vend. Në një periudhë kur autoritetet vazhdimisht kanë paralajmëruar investime të reja, zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës, statistikat zyrtare nuk dëshmojnë një rritje reale të punësimit. E përderisa numri i përgjithshëm i të punësuarve mbetet praktikisht i njëjtë nga një vit në tjetrin, premtimet për një treg pune më dinamik ende nuk po gjejnë pasqyrim në statistikat zyrtare. 

Related Articles

Back to top button
Close
Close