
Në nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit të Kulturës Fizike, e organizoi Turneun Tradicional Ndërkombëtar të Volejbollit në Rërë, duke e shndërruar këtë manifestim sportiv në një aktivitet që ndërthur sportin, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Turneu, i cili filloi më 2 korrik dhe u përmbyll me finalen e zhvilluar më 4 korrik 2026, mblodhi 13 ekipe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut. Për herë të parë në historinë e këtij turneu morën pjesë edhe ekipe nga Ukraina, duke i dhënë aktivitetit një dimension edhe më të gjerë ndërkombëtar.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, e cila përmes sportit promovon vlerat universale të lirisë, respektit dhe bashkëpunimit. “Jemi mbledhur për të nderuar një ide që e tejkalon fushën e lojës, kufijtë gjeografikë dhe dallimet mes njerëzve: idenë se liria, respekti dhe bashkëpunimi janë themele mbi të cilat ndërtohen shoqëritë e qëndrueshme”, tha Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Më tej, ai vuri në pah rolin e sportit në afrimin e njerëzve dhe popujve, duke theksuar se “Në Universitetin e Tetovës sporti bëhet më shumë se garë. Ai shndërrohet në gjuhë të përbashkët, në urë komunikimi dhe në dëshmi se të rinjtë mund të takohen me dinjitet, të përballen me ndershmëri dhe të largohen me respekt më të madh për njëri-tjetrin.”
Pas përfundimit të finales u shpallën edhe fituesit e këtij edicioni: Fitues të këtij kompeticioni u shpallën dyshja nga Republika e Kosovës: Erion Bajrami dhe Ermal Maliqi. Në vendin e dytë po ashtu ekipi nga Kosova Adriatik Berisha dhe Erin Qalaj, ndërsa në vendin e tretë volejbollistët nga vendi ynë David Stojanov dhe Angel Boshkov.
Në kuadër të ceremonisë përmbyllëse, përveç ndarjes së kupave dhe medaljeve për ekipet fituese, u ndanë edhe certifikata mirënjohjeje për referët dhe sponsorët e turneut, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe mbështetjen e tyre.
Po ashtu nga ekipet pjesëmarrëse në këtë turne u shpreh mirënjohje për dekanen e Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Shpresa Memishin, stafin organizativ, referët, sponsorët dhe të gjithë kontribuesit që mundësuan organizimin me sukses të këtij turneu tradicional, i cili prej vitesh është shndërruar në një aktivitet të rëndësishëm sportiv të Universitetit të Tetovës.
Turneu u mbyll në një atmosferë sportive dhe miqësore, duke konfirmuar edhe një herë
përkushtimin e Universitetit të Tetovës për promovimin e sportit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e miqësisë ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.













