
Një e-mail i brendshëm, në të cilin paralajmërohej mundësia e nisjes së procedurave disiplinore, është arsyeja pse sot nuk u mbajtën protestat e paralajmëruara para zyrave rajonale të Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), të organizuara nga sindikata përfaqësuese “Solidariteti”. Sipas sindikalistëve, e-maili është nënshkruar nga drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, dhe është dërguar në orën 07:20 të mëngjesit, vetëm dy orë para fillimit të protestave paqësore, transmeton Portalb.mk.
Sindikata “Solidariteti” dhe Petrova kanë qëndrime të kundërta lidhur me Ligjin për Tubimet Publike. Sipas sindikatës, ligji u garanton punonjësve të drejtën për të protestuar gjatë orarit të punës, ndërsa Petrova, në shkresën e brendshme, thekson se punonjësit kanë të drejtë për grevë, por jo për protesta paqësore gjatë orarit të punës.
“Një numër i madh punonjësish erdhën tek unë këtë mëngjes dhe u ankuan se përmes njoftimit të brendshëm nga punëdhënësi u është bërë e ditur se një veprim i tillë është i palejuar dhe në kundërshtim me ligjin. Ata janë njoftuar se për pjesëmarrje në një aktivitet të tillë, sipas qëndrimit të punëdhënësit, do të ndërmerren masa për përgjegjësi disiplinore për shkelje të detyrave të punës”, deklaroi Vase Nedanoski, kryetar i sindikatës “Solidariteti”.
Sipas Nedanoskit, punonjësve u është bërë thirrje të mos marrin pjesë në protestë edhe nga kryetari i sindikatës së dytë përfaqësuese në DAP, SADU.
Megjithëse protesta paqësore nuk u zhvillua, përfaqësuesit e sindikatës “Solidariteti” presin të zhvillojnë një takim me udhëheqësinë e DAP-it, i pari që nga emërimi i Petrovës në postin e drejtoreshës, për të diskutuar situatën e krijuar. Ata nuk përjashtojnë mundësinë e organizimit të një greve.
“Besoj se do të gjejmë një mënyrë për ta tejkaluar këtë problem. Greva është një e drejtë ligjore dhe legjitime, për të cilën nevojiten përgatitje, por u bëj thirrje edhe palës tjetër që të gjejmë një zgjidhje”, tha Nedanoski.
Punonjësit e DAP-it tashmë katër muaj nuk e kanë marrë rritjen prej 7 përqind të pagës, si dhe harmonizimin me rritjen e pagës minimale, që nënkupton edhe 1.600 denarë shtesë. Pikërisht kjo ishte arsyeja për organizimin e protestave dyorëshe para të gjitha drejtorive rajonale të DAP-it.



