LajmeMaqedoniTopLajm

Osmani: Emërimi i Stoilkoviçit ishte mesazh politik ndaj shqiptarëve, Stolkoviç: Ministrinë po ia lë pasardhësit “të rregulluar”

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka kritikuar mënyrën e emërimit dhe zëvendësimit të ministrit në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, duke vlerësuar se kjo cenon frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Nga ana tjetër, ministri Ivan Stoilkoviç, para largimit nga funksioni, ka mbrojtur punën e tij dhe ka renditur rezultatet që thotë se janë arritur gjatë mandatit.

Osmani deklaroi se vetë emërimi i Stoilkoviçit kishte një mesazh politik ndaj shqiptarëve.

“Vetë emërimi i Stoilkoviçit në ministrinë përgjegjëse për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kishte një simbolikë të qartë politike: t’u dërgohet mesazh shqiptarëve se ata trajtohen në të njëjtin rang me komunitetet që përbëjnë më pak se 20% të popullsisë dhe se udhëheqja e kësaj ministrie duhet të bëhet me rotacion sipas logjikës së përfaqësimit të pakicave.”

Sipas tij, kjo qasje “ishte provokuese për shqiptarët” dhe “në kundërshtim me frymën e rendit kushtetues dhe të vetë Marrëveshjes së Ohrit”.

Ai shtoi se edhe propozimi për zëvendësimin e Stoilkoviçit ndjek të njëjtën logjikë.

“Fakti që edhe tani po propozohet zëvendësimi i tij sërish sipas të njëjtës logjikë të rotacionit të pakicave, vetëm sa e konfirmon këtë qasje të gabuar. Për ne, kjo është e papranueshme dhe duhet të refuzohet si koncept.”

Osmani vlerësoi se ministria tashmë e ka humbur peshën që kishte më parë.

“Pas këtij veprimi, kjo ministri e ka humbur peshën dhe rëndësinë që kishte dikur. Kushdo që do ta udhëheqë atë në të ardhmen, nuk mund ta rikthejë rolin që kjo qeveri tashmë ia ka zhbërë.”

Ndërkohë, ministri Ivan Stoilkoviç publikoi një mesazh në prag të largimit të tij nga detyra, duke theksuar se ministrinë po ia lë pasardhësit “të rregulluar, të organizuar dhe me sistematizim të ri”.

Ai veçoi si arritje kryesore uljen e ndjeshme të buxhetit të ministrisë dhe eliminimin e, sipas tij, shpenzimeve të panevojshme.

“Buxheti i Ministrisë në vitin 2021 ka qenë 577.780.000 denarë, ndërsa në vitin 2026 është 173.500.000 denarë, pra më shumë se tri herë më i ulët krahasuar me vitin 2021.”

Stoilkoviç tha se, pavarësisht uljes së buxhetit, janë realizuar të gjitha programet ekzistuese dhe është shtuar një program i ri, ndërsa janë eliminuar “shpenzimet që më parë përdoreshin për qëllime të ashtuquajtura korruptive”.

Ai theksoi gjithashtu se është mbyllur Programi K-5, për të cilin tha se kishte krijuar praktikën “rri në shtëpi dhe merr pagë”.

“Me Buxhetin e vitit 2026, procesi i risistemimit të nëpunësve administrativë është përfunduar plotësisht, ndërsa Programi K-5 është shfuqizuar. Kjo do të thotë se ka marrë fund praktika ‘rri në shtëpi dhe merr pagë’.”

Në fund, Stoilkoviç shprehu mbështetjen për Ligjin e ri për Përfaqësim të Përshtatshëm dhe të Drejtë, duke vlerësuar se ai do të garantojë përfaqësim të drejtë, profesionalizëm dhe cilësi në punësimin në sektorin publik.

Related Articles

Back to top button
Close
Close