
Aktivistja qytetare Nafie Selmani ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku ka ngritur pretendime për mosmarrëveshje të brendshme në koalicionin VLEN lidhur me emërimet në institucionet mediatike shtetërore.
Sipas Selmanit, “sipas disa zërave që vijnë nga qarqe pranë VLEN-it, arsyeja e mospranisë së Bekim Qokut në shënimin e dyvjetorit të qeverisjes VMRO–VLEN–ZNAM lidhet me insistimin (madje edhe presionin dhe kërcënimin, sipas këtyre zërave) që ai po e ushtron ndaj Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit që një mik, person i afërt me të të emërohet zëvendësdrejtor në RTVM.”
Ajo shton se, sipas burimeve që pretendon se vijnë nga RTVM, “ky miku i Qokut nuk i plotëson kushtet, ndaj është anuluar Konkursi i kaluar.”
Në reagimin e saj, Selmani u drejtohet edhe liderëve të VLEN-it me pyetjen: “Izet, Bilall, a deri në këtë derexhe e keni sjellë punën, që Qoku t’ju dirixhojë?”
Më tej, ajo pretendon se posti i zëvendësdrejtorit shqiptar në RTVM vazhdon të jetë vakant “pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve të brendshme brenda koalicionit.”
Selmani ngriti pretendime edhe për situatën në Agjencinë e Mediave, duke shkruar se “e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Agjencinë e Mediave, ku vendi i zëvendësdrejtorit shqiptar është i zbrazët, pasi Konkursi i dhjetorit të vitit të kaluar u anulua nga anëtaret shqiptare në atë Këshill, ku sipas pretendimeve që vijnë nga ky institucion, Zeqirija Ibrahimi kishte insistuar të emërohet një mik i tij, por dikush nga partnerët e tij politik nuk e ka lejuar.”
Pretendimet e publikuara nga Nafie Selmani janë deklarata të saj publike dhe deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga përfaqësuesit e përmendur në lidhje me këto akuza.



