
Dy vende në krahun lindor të NATO-s kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke përgatitur një “provokim” kundër shteteve baltike ose Polonisë, në një përpjekje për të testuar unitetin dhe reagimin e aleancës ushtarake perëndimore.
Sipas burimeve të sigurisë, shqetësimi lidhet me presionin në rritje që po përjeton Kremlini nga sulmet me rreze të gjatë të Ukrainës ndaj objektivave pranë Moskës dhe Shën Petersburgut.
Shërbimi i inteligjencës i Letonisë deklaroi se ka indicie që Rusia po përgatit provokime ushtarake ndaj vendeve baltike ose Polonisë, megjithëse nuk bëhet fjalë për një sulm të plotë ushtarak.
Një burim i lartë politik nga një tjetër vend anëtar i NATO-s ka dhënë një paralajmërim të ngjashëm, duke thënë se ka informacione që presidenti rus, Vladimir Putin, mund të planifikojë veprime kundër vendeve baltike.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës letoneze, Rusia nuk ka kapacitet të hapë një front të dytë lufte, por mund të përdorë sulme hibride, përfshirë raketa, dronë apo veprime të tjera provokuese, me qëllim dërgimin e një mesazhi ndaj vendeve që mbështesin Ukrainën.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Moska mund të kërkojë mënyra alternative për të ndryshuar dinamikën e luftës, në një kohë kur avancimi i forcave ruse në Ukrainë ka ngecur.
Sipas tyre, Kremlini mund të tentojë përshkallëzim horizontal të konfliktit duke krijuar tensione në vende të tjera të rajonit.
Paralajmërimet vijnë gjithashtu në prag të samitit të NATO-s, ndërsa mbetet i lartë shqetësimi për sigurinë në kufirin lindor të aleancës dhe mundësinë e veprimeve destabilizuese nga Rusia.



