
Partia ZNAM e Maksim Dimitrievskit dhe kryeministri Hristijan Mickoski nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e parë për rikonstruimin e Qeverisë, pasi partneri më i vogël qeveritar ka refuzuar të heqë dorë nga Ministria e Drejtësisë në këmbim të Ministrisë së Bujqësisë, raportojnë burime qeveritare për INA.
Sipas të njëjtave burime, gjatë takimit katërorësh në selinë e ZNAM-it, përfaqësuesit e partisë kanë kërkuar një resor më të rëndësishëm, si Ministria e Punëve të Brendshme ose Ministria e Mbrojtjes në këmbim të Drejtësisë, por propozimi nuk është pranuar nga Mickoski.
Megjithatë, burime nga koalicioni qeveritar vlerësojnë se rotacioni i resorëve është vetëm çështje kohe dhe se negociatat do të vazhdojnë gjatë fundjavës, me synimin që procesi të finalizohet deri më 1 korrik.
Sipas skenarit që po shqyrtohet, Ministria e Bujqësisë do t’i kalojë ZNAM-it, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga një kuadër i koalicionit shqiptar VLEN. ZNAM ka mbetur në qëndrimin se duhet të ruajë ministritë që i janë ndarë me marrëveshjen fillestare për hyrjen në Qeveri, përkatësisht Drejtësinë dhe Administratën Publike.
Mediat maqedonase raportojnë se Mickoski ka shprehur pakënaqësi për punën e ministrit aktual të Drejtësisë, Igor Fillkov, duke e cilësuar atë si një nga arsyet për ndryshimet e propozuara, përcjell INA.
Paralelisht, VMRO-DPMNE dhe VLEN thuhet se kanë arritur një marrëveshje parimore për shumicën e rotacioneve ministrore. Sipas këtij plani, VMRO-DPMNE do të marrë drejtimin e ministrive të Shëndetësisë, Politikës Sociale dhe Eurointegrimeve, ndërsa VLEN do të udhëheqë ministritë e Drejtësisë, Sportit, Kulturës dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.
Ndryshime priten edhe në disa poste të tjera qeveritare, përfshirë zëvendëskryeministrat dhe Ministrinë e Sistemit Politik.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se propozimi për përbërjen e re qeveritare do të procedohet menjëherë sapo të dorëzohet nga ekzekutivi. Për shkak të numrit të madh të ministrave që pritet të zëvendësohen, votimi në Kuvend mund të zhvillohet sipas procedurës që zbatohet për zgjedhjen e një qeverie të re.(INA)



