
Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria, sot në sallën gjyqësore në “Idrizovë” duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën.
Deri më tani, Prokuroria ka prezantuar prova për inspektimet e kryera mbi veprimtarinë e shërbimeve hotelierike nga Komuna e Koçanit. Në setin e provave u paraqitën raporte pune të inspektorëve, autorizime të inspektorëve të ndërtimit, si dhe dokumentacion për kryerjen e inspektimeve të përbashkëta dhe kontrolleve në terren. Prokuroria dorëzoi edhe vendime për punësimin e inspektorëve të autorizuar të ndërtimit, të cilat sipas saj janë relevante për përcaktimin e kompetencave dhe përgjegjësive në periudhën para zjarrit.
Gjithashtu u prezantuan plane për kontrolle tremujore, programe vjetore dhe dokumente zyrtare të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të nënshkruara me emrin e Shaban Saliut, i cili nga viti 2012 deri në 2017 ka qenë drejtor i institucionit.
Në një nga seancat u prezantuan prova edhe për Agjencinë e Sigurisë “Rubikon Security Solutions”, që lidhen me rrethanat e sigurimit të objektit ku ndodhej diskoteka “Pulse”: planin e mbikëqyrjes dhe sigurimit, lejen e punës, listën e të punësuarve, si dhe materiale të siguruara nga bastisjet në zyra dhe automjete.
Më herët, Prokuroria kishte prezantuar prova për objektin, pronësinë dhe lëvizjen e pasurisë – gjithë historinë faktike, juridike dhe pronësore të objektit ku ndodhej diskoteka “Pulse”.
Në sallë u paraqitën edhe dokumente për statusin juridik të objektit sipas planeve urbanistike, elaboratet gjeodezike, kërkesë për legalizim nga viti 2011 për pjesën e objektit që trajtohej si ndërtim pa leje, procesverbale nga kontrolle të kryera, kontrata qiraje, kërkesa për legalizim, si dhe procesverbale për objektet dhe dokumentet e sekuestruara pas zjarrit.
U prezantuan edhe fotografi nga brendësia e diskotekës pas renovimit, të siguruara nga ekspertiza e telefonit të të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, për të cilat Prokuroria theksoi se nuk ekziston dokumentacion zyrtar.
Nga provat materiale të lidhura me Komunën e Koçanit dhe diskotekën u prezantua procesverbal nga një kontroll i jashtëzakonshëm, ku u konstatuan parregullsi – objekti me leje për industri të lehtë për vite me radhë ishte përdorur si diskotekë pa leje për ndryshim destinacioni. U paraqit edhe kërkesë e vitit 2012 nga Komuna e Koçanit për mosdhënie licence për punë, me njoftim se hapësira e parkimit i përket objekteve për industri të lehtë, e jo për klub nate, si dhe kërkesë e vitit 2012 nga Komuna e Koçanit drejtuar Ministrisë së Ekonomisë për informacione mbi aplikimin e kompanisë “Klasik TP” për licencë për diskotekë.
Mbrojtja reagoi se një pjesë e provave janë siguruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk duhet të pranohen si prova, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre.
Prokuroria prezantoi edhe procesverbal për objektet e gjetura dhe të sekuestruara në vendin e ngjarjes – dokumente personale, laptopë, arkë me para dhe objekte të tjera, ndër të cilat u evidentuan 140 bileta hyrjeje për diskotekën “Pulse”, kontratë për sigurim patrullues mes “Rubikon Security Solutions” dhe “MMMM Café DOOEL”, njoftim për ushtrimin e veprimtarisë dhe procesverbal nga inspektimi për siguri dhe shëndet në punë në diskotekë.
Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë performancës së grupit DNK dhe përfaqëson një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska‑Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.



