
Arsyetimet banale me të cilat po tentohet të relativizohet vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, flasin shumë më tepër se çdo deklaratë publike e VLEN-it.
Tetova ka kthyer faqen prej kohësh. Tetova ka historinë, identitetin dhe figurat e saj. Tetova nuk meriton të kthehet pas në kohë dhe as t’i rikthehen emërtimet që qytetarët i kanë lënë pas shumë vite më parë.
E gjithë kjo po ndodh me bekimin e VLEN-it. Prandaj, qytetarët meritojnë përgjigje të qarta.
Disa pyetje publike për Bilall Kasamin:
A është kontaktuar Komuna e Tetovës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë lëndë? Cili ka qenë qëndrimi i komunës gjatë kësaj procedure? A ka pasur komunikim zyrtar ose jozyrtar me Gjykatën Kushtetuese? Cili ka qenë roli i përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri? Çfarë qëndrimi ka mbajtur Qeveria para Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e miratuara në vitin 2007?
Qytetarët meritojnë transparencë të plotë. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se kush heshti, kush u pajtua dhe kush kontribuoi që të vihet në shënjestër identiteti i Tetovës.
Mos i nënvlerësoni qytetarët. Mos e merrni për dobësi durimin e tyre. Shqiptarët nuk do të pranojnë që të arriturat e tyre të cenohen në heshtje. Edhe durimi ka fund!



