LajmeMaqedoniTopLajm

Hoxha pas takimit me Mexhitin: Askush nuk na ndan, Shqipëria e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pas një takimi me zëvendëskryeministrin dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, përcjellë Top24

Në një postim në rrjetin X, Hoxha e cilësoi takimin si të parë, por përmbajtësor, duke nënvizuar se ajo që i bashkon shqiptarët është më e madhe se çdo dallim politik apo ideologjik. “Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan”, theksoi ai.

Sipas ministrit, gjatë takimit u diskutua për çështje me interes të ndërsjellë, me fokus të veçantë te pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai vlerësoi se këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por kërkojnë mbrojtje dhe zbatim të plotë në praktikë.

Hoxha theksoi se ruajtja e arritjeve, si përdorimi dhe zhvillimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është thelbësore. Ai paralajmëroi se nëse këto nuk mbrohen dhe nuk vihet në plan të parë e mira e përbashkët përtej interesave politike apo ideologjike, atëherë përgjegjësia bie mbi vetë shqiptarët.

Ministri bëri të ditur se nga Mexhiti ka marrë garanci se ai, partia e tij dhe koalicioni VLEN mbeten të përkushtuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, duke siguruar barazi, përfaqësim të drejtë dhe zhvillim të vazhdueshëm në të gjitha sferat e jetës publike.

Në fund, Hoxha nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe bashkimit rreth vlerave të përbashkëta, duke theksuar se nevojiten më pak fjalë dhe më shumë veprime konkrete. Sipas tij, kjo është rruga për përparim dhe për forcimin e marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, si vend fqinj, aleat dhe partner në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close