
Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikanë ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës në Parlament, i cili e akuzoi deputetin e opozitës se sillet në parlament si përfaqësues i kongresit amerikan, ndërkohë që duhet të japë llogari para drejtësisë.
Por në një reagim për Panorama Online, Fatmir Mediu thekson se ai në Parlament ngriti si shqetësim alarmin që dha Ambasada Amerikane për sulme të mundshme ndaj Shqipërisë nga Irani dhe veçanërisht kampit të Muxhahedinëve në Manëz.
Sipas Mediut, Taulant Balla s’mund të sillet në Parlament si Kryetari i Kuvendit, si President apo dhe si Kryeministër.
Kreu i PR thekson se Balla s’ka asnjë tagër për çështjet e sigurisë kombëtare, ndërkohë që sjellja në Parlament është papërgjegjshme.
“Taulant Balla nuk mund të sillet si kryetar i kuvendit President dhe kryeministër. Nuk ka asnjë tagër për çështje të sigurisë kombëtare. Kjo sjellje në parlament është e papërgjegjshme.
Sa për drejtësinë kam 18 vjet që merrem me drejtësinë që kontrollon Balla dhe partia e tij, këtu kam qenë dhe jam kam dhënë dorëheqjen dhe kam dorëzuar imunitetin në përballje me akuzat politike dhe qesharake, një çështje të gjykuar dhe parashkruar. Kjo tregon se mbas këtij procesi është Taulant Balla dhe partia e tij”.
Me tej ne deklaratën e tij, Mediu tha se Balla duhet te përgjigjet para drejtësisë per akuzat qe jane ngritur ndaj tij. “Taulant Balla ti përgjigjet akuzave ndaj tij të cilat janë pa fund”- thekson kreu I PR.



