
Pacientët onkologjikë në Maqedoninë e Veriut po përballen me një tjetër alarm serioz në sistemin shëndetësor. Skaneri i vetëm publik PET/CT në vend ende nuk funksionon, ndërsa nuk ka një afat të qartë se kur pacientët do të mund t’i nënshtrohen përsëri ekzaminimeve.3
Bëhet fjalë për një pajisje jetike për pacientët me kancer, pasi PET/CT ndihmon mjekët të përcaktojnë përhapjen e sëmundjes, të vlerësojnë efektin e terapisë dhe të vendosin nëse trajtimi duhet të vazhdojë, të ndryshohet apo të ndërpritet.
Por ndërsa pacientët presin, koha kalon dhe diagnoza e tyre mbetet pezull.
Nga Instituti Universitar për Tomografinë me Emetim Pozitronesh bëjnë të ditur se problemi lidhet me pajisjet e nevojshme për prodhimin e radioizotopeve dhe se servisuesi i autorizuar po punon për eliminimin e defektit.
Institucioni pranon gjithashtu se gjatë viteve të fundit nuk është ndjekur protokolli për mirëmbajtjen parandaluese të pompës së difuzionit, pastrimin e saj dhe zëvendësimin e vajit çdo pesë vjet.
Pacientët presin, disa detyrohen të paguajnë deri në 1.300 euro
Situata është veçanërisht shqetësuese për pacientët që kanë përfunduar disa cikle terapie dhe duhet të bëjnë kontrollin PET/CT për të parë nëse trajtimi ka dhënë rezultat.



