
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-raportin për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Në raport eurodeputetët kanë bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së kundër Kosovës.
Aty theksohet se masat nuk janë të justifikueshme pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së.
Deputetja britanike Alicia Kearns e ka cilësuar si një zhvillim të vonuar, por të domosdoshëm.
“Lajm i vonuar prej kohësh dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit. Shpresoj që këto thirrje të merren parasysh,” ka deklaruar Kearns.
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ishin vendosur si reagim ndaj krizës në veri të vendit, sidomos pas tensioneve të rënda në komunat me shumicë serbe në vitin 2023.
Këto masa u prezantuan nga BE-ja si një mënyrë për të shtyrë autoritetet kosovare që të ndërmarrin hapa konkretë drejt de-përshkallëzimit të situatës dhe bashkëpunimit më të madh me komunitetin ndërkombëtar.
BE-ja i ka kushtëzuar heqjen e këtyre masave me hapa të qartë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të uljes së tensioneve në veri, përfshirë organizimin e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të serbëve dhe bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare si EULEX dhe KFOR.



