LajmeMaqedoni

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga Prorektori për
Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe udhëheqësja e kabinetit të Rektorit
Valmisa Novi, më 28 janar 2025, e vizituan Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Ata u pritën në takim nga rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi
dhe bashkëpunëtorët e tij. Ky takim kishte për qëllim diskutimin për nxitjen e bashkëpunimit,
mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit në fushat e arsimit dhe hulumtimit shkencor mes
universiteteve shqipfolëse. U nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të
Tetovës dhe Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, rektorët
Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Prof. Dr. Armand Krasniqi theksuan se dy universitetet në të ardhmen do
të kontribuojnë për bashkëpunim sa më cilësor në fushat e arsimit dhe të kërkimit shkencor.
Po ashtu parashihet që të realizohen edhe projekte të përbashkëta kërkimore dhe pilot
projekte; shkëmbim i stafit hulumtues dhe mësimdhënësve; shkëmbim i studentëve; organizim i
seminareve, konferencave, punëtorive të përbashkëta dhe të ngjashme; shkëmbim i botimeve
shkencore dhe materialeve tjera për qëllime kërkimi dhe arsimimi. Ndër të tjera, prioritet do të jenë
edhe vizitat afatshkurtra të anëtarëve të lartë të stafit për konsultime, leksione dhe planifikim të
projekteve dhe vizitat afatgjata nga stafi hulumtues dhe teknik për trajnime, studime pasuniversitare
ose pjesëmarrje në projekte të përbashkëta kërkimore.
Marrëveshja parasheh që të ketë edhe shkëmbim të studentëve deridiplomikë dhe
pasdiplomikë për trajnim praktik dhe pjesëmarrje në programet ndërkombëtare; nxitje të kontakteve
me shkencëtarë të shquar nga qendrat tjera akademike në vendet përkatëse; kontakte të përbashkëta
me shkencëtarët në vendet e treta për të marrë pjesë në projekte ndërkombëtare në shkallë të gjerë e
kështu me radhë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close