
Shqiptarët janë vetëm 18 për qind të përfaqësuar në pozita drejtuese. Në paralelen që bën me bashkësi të tjera etnike, Avokati i Popullit vëren pabarazi. Maqedonasit, vllehët dhe serbët në pozita drejtuese janë në përqindje më të lartë, si në raport me përqindjen e popullsisë rezidente, ashtu edhe në krahasim me numrin e të punësuarve nga të njëjtat komunitete në sektorin publik.
Presidenca, Sekretariati i Qeverisë, Gjykata e Lartë, Akademia e Shkencave dhe Arteve, MEPSO…, vijojnë të gjenden edhe këtë vit ndër institucionet kryesore ku përfaqësimi i drejtë etnik shpërfillet në maksimum. Raporti i posaçëm i Avokatit të Popullit, i publikuar të martën, në Ditën Botërore të të drejtave të njeriut, ka monitoruar zbatimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Si shembuj më flagrant Avokati i Popullit, Naser Ziberi, sjell Akademinë, e cila nga 91 të punësuar – vetëm 1 është shqiptar dhe asnjë nga një bashkësi tjetër etnike, madje edhe në ndërmarrjet publike shtetërore si MEPSO, ku përfaqësimi etnik është nën 10 për qind.
Raporti tregon se përfaqësimi i maqedonasve në sektorin publik në vitin 2022 ishte 71.9%, ndërsa për vitin 2023 është 71.6%, që paraqet një rënie prej 0.3% në krahasim me vitin paraprak, por është më i lartë për 13.16 për qind në krahasim me banorët. Përfaqësimi i shqiptarëve në vitin 2022 ishte 21.4%, ndërsa këtë vit raportues – është 21.7%, që paraqet një rritje prej 0.3%, por është më e ulët për 2.6 për qind krahasuar me popullsinë rezidente në vend. Ka një rritje të vogël në komunitetin turk, ndërsa komunitetet etnike rom, serb dhe vlleh kanë të njëjtën shkallë të përfaqësimit në vitin 2022 dhe 2023.
“Parlamenti, disa ministri dhe disa njësi të vetëqeverisjes lokale mund të mburren me përfaqësim adekuat dhe të drejtë që pasqyron gjendjen reale të popullsisë sipas strukturës etnike, pavarësisht se ku është popullata maqedonase apo shqiptare, por ka shumë. Institucionet devijojnë nga ky rregull dhe unë i citova me emër kur publikova raportin e vitit të kaluar. Nuk ka asnjë ndryshim apo përmirësim dhe mund t’i përmend për momentin”, theksoi Avokati i Popullit.
Si vitin e kaluar, edhe për vitin 2023, Avokati i Popullit drejton kritika publike për numrin e pamjaftueshëm të përfaqësimit të personave nga komunitetet joshumicë në pozita drejtuese, shqiptarë (18 për qind), turq (1.6 për qind) dhe veçanërisht rom, pra nga numri i përgjithshëm i personave në pozita drejtuese në sektorin publik, vetëm 0.3% janë romë, të emëruar në pozita drejtuese. Në mesin e bashkësive tjera etnike, maqedonas, vlleh dhe serb, përfaqësimi i pozitave drejtuese është në përqindje më i lartë, si në raport me përqindjen e popullsisë rezidente ashtu edhe në krahasim me numrin e të punësuarve nga të njëjtat komunitete në sektorin publik, që në fakt konfirmon zbatimin e papërshtatshëm të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë ndaj komuniteteve tjera. Pas heqjes së mekanizmit “Balancues”, Ziberi ka insistuar në gjetjen e një instrumenti të përshtatshëm që do të sigurojë dhe garantojë këtë të drejtë, duke respektuar sistemin e meritës, diçka që e parashikonte edhe rregullorja e mëparshme, por jo rrallëherë menaxhmentet e institucioneve e aplikuan atë në mënyrë të pamjaftueshme.
“Avokati i Popullit beson se me miratimin e akteve të duhura me shkrim do t’i jepet një peshë tjetër parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, do të zvogëlohen hapësirat për keqpërdorime të mundshme të kësaj mase, por do të ishte edhe një kontribut në realizimin e të drejtave qytetare të garantuara, e njëjta nuk do të mbetej vetëm dekorim i përcaktimeve tona kushtetuese, por një mundësi reale”, ka thënë Ziberi. Raporti tregon se numri i të punësuarve në nivel agregat në sektorin publik ka rënë për 2488 persona, në ndryshim nga viti 2022 (130.377 persona), krahasuar me 127.889 persona në vitin 2023.



