
Tetova rrezikon të mbetet pa ujë të pijshëm. Mungesa e të reshurave të shiut dhe borës në njërën anë dhe në anën tjetër, turbullimi i ujit nga burimet e Leshnicës, kanë bërë që qyteti të ketë rreth 140 litra ujë në sekondë më pak se nga ajo që është e nevojshme për tu plotësuar kërkesat e qytetit për ujë të pijshëm. Burimet e Leshnicës janë për 10 herë më të ndotura se e lejuara.
“Për momentin ne kemi ndotje ku niveli ndotës është 14, që është jashtë normales, që është afërisht 10 herë. Jemi të detyruar që ta ndërpresim burimin e Leshnicës dhe jemi të detyruar të furnizohemi nga burimet e vjetra që realisht janë shumë pak dhe prurjet janë shumë të vogla.”- deklaroi Lulzim Shaqiri NPK “Tetova” Tetovë
Janë aktivizuar edhe burimet alternative, thonë nga Ndërmarrja publike komunale, megjithatë sasia e ujit vazhdon te jetë hiç më shumë se 220 litra ujë në sekondë, që ka bërë që çezmat në qytetin e Tetovës sot të jenë pa ujë.
“Kemi mungesë afër 140 litra ujë në sekondë. Me daljen e sistemit të Leshnicës nga përdorimi ne i humbim 140 litra që janë sasia e nevojshme për qytetin. Për momentin kemi 220 litra në total nga gjitha burimet. Restrikcioni është forma më e vështirë e hapit që duhet ta marrim, sepse ballafaqohemi me sistem të vjetërsuar dhe pas çdo ndalese që bëjmë na paraqiten pastaj defekte të mëdha, andaj nuk e bëjmë, shkaku se dhjetë orë pasi bëjmë shpëlarjen e sistemit, humbim shumë andaj është e pakuptimtë. Më tepër do e pësojnë pjesët e epërme të qytetit, apo periferike, edhe pse tentojmë që ata të kenë furnizim të paktën të mbushin depozitat, por do e pësojë edhe gjithë qyteti realisht”.- tha Lulzim Shaqiri NPK “Tetova” Tetovë.
Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës që para dy vitesh ka paralajmëruar një studim fizibiliteti për një projekt për zgjidhje afatgjate të problemit me ujin, megjithatë, deri në këto momente, nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim.Top24



