Mickoski: Qeveria është zgjedhur me mandat katërvjeçar, por zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një paraqitjeje në televizionin Alsat M, i pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, përsëriti se Qeveria është zgjedhur për një mandat katërvjeçar, por theksoi se është i gatshëm për zgjedhje. Ai tha se opozita mund të paraqesë kërkesë për zgjedhje në çdo kohë.

“Qëndrimi im është i qartë. Ne jemi Qeveri e zgjedhur për një mandat katërvjeçar dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë. Gjithashtu, këtë e kam përsëritur disa herë publikisht: opozita e bashkuar, përkatësisht E Majta, BDI-ja dhe LSDM-ja, mund të paraqesin kërkesë në çdo kohë. Një politikan, pavarësisht nëse është në pushtet apo në opozitë, duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për zgjedhje, sepse nuk dihet se kur mund të ndodhin”, deklaroi Mickoski.

Këtë qëndrim kryeministri e arsyetoi edhe me zhvillimet aktuale, duke përmendur zgjedhjet që do të mbahen në komunën e Bërvenicës pas vdekjes tragjike të kryetarit të saj.

“Ja, tani kemi zgjedhje për shkak të përfundimit tragjik të jetës së kryetarit të komunës së Bërvenicës. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Në politikë, kurrë mos thoni kurrë”, u shpreh Mickoski.

Megjithatë, ai theksoi se mesazhi i tij aktual është se Qeveria po punon për ta përfunduar mandatin katërvjeçar si koalicion qeverisës, në të cilin bëjnë pjesë partitë politike ZNAM dhe VLEN.
Këtë deklaratë Mickoski e bëri gjatë paraqitjes së tij në televizionin Alsat M.